Anija Libra e Marinës është nisur drejt Shqipërisë për të sjellë grupin e parë të emigrantëve në qendrat e ngritura në Shqipëri për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara kufitare.
Në bord u krye një kontroll fillestar i personave që do të transferoheshin, që ishin shpëtuar në det, për të verifikuar nëse ata plotësojnë kërkesat e përcaktuara në protokoll: me origjinë nga vende të sigurta, meshkuj, jo vulnerabël. Në krye të nismës është Ministria e Brendshme italiane.
Ndërsa gratë, të miturit, të torturuarit dhe të sëmurët dërgohen në Lampeduza dhe prej këtu vendosen në qarkun normal të pritjes duke pritur që kërkesa e tyre për azil të shqyrtohet nga komisionet territoriale.
Sapo anija të mbërrijë në portin e Shëngjinit, emigrantët e mbetur do të zbresin dhe do t’i nënshtrohen një kontrolli të dytë më të thelluar.
Më pas ata do të transferohen në Gjader.
Sipas protokollit të nënshkruar nga kryeministrat Giorgia Meloni dhe Edi Rama, azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh: nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali, në të kundërt do të kthehen në vendin e tyre të origjinës.
Komisioni i kryesuar nga Prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat, intervistat do të zhvillohen me video-lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.