Rajoni

Nisi viti i ri shkollor 2024/2025 në Kosovë!

Sot në gjithë Kosovën nisi viti i ri shkollor 2024/2025. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njoftoi se në koordinim me komunat ishin bërë të gjitha përgatitjet e duhura, por nuk dha detaje për numrin e nxënësve që vijojnë mësimin në institucione publike e private e as për numrin e fëmijëve që fillojnë klasën e parë.

Më 14 gusht u hap aplikimi për subvencionim me tekste dhe materiale shkollore në platformën e-Kosova e sipas ministres Nagavci, u pa se proceduralisht këtë vit ka qenë shumë më e lehtë sepse prindërit i kanë pasur llogaritë aktive.

Deri tani dihet se kanë aplikuar gjithsej 203.407 prindër ose kujdestarë ligjor për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Ndërkaq, janë subvencionuar gjithsej 201,120 aplikues. Procesi i transferimit të mjeteve është duke vazhduar, po ashtu platforma për aplikim po qëndron e hapur.

Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, MASHTI ka publikuar edhe udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2024-2025.

Ky UA përcakton fillimin dhe mbarimin e vitit shkollor 2024/2025 në të gjitha institucionet publike dhe private, respektivisht të vitit mësimor sipas niveleve, pushimin vjeshtor, pushimin dimëror, pushimin pranveror, festat publike për nxënësit e shkollave fillore, klasave parafillore, shkollave të mesme të ulëta, shkollave të mesme të larta, institucionet parashkollore dhe qendrat burimore për mësim dhe këshillim.

Kurse, me vendim të Komunës së Prishtinës, mësimi gjithë-ditor do të zhvillohet për herë të parë për nxënësit e klasave nga e para deri në të pestën, e për të cilët është siguruar edhe shujta e ngrohët. Megjithatë, procesi mësimor nëpër fshatrat e kësaj komune vazhdon sikur vitet e mëhershme.

Shkollat ku do të nisë ky projekt, janë: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Shkolla e Gjelbër”, “Nazim Gafurri” dhe “Qamil Batalli”.