Aktualitet Sociale

Nis regjistrimi në çerdhe/Deri më 7 qershor dorëzimi i dokumenteve!

Sot nisin aplikimet për regjistrimet e fëmijëve në çerdhe publike. Deri më 7 qershor, prindërit duhet të paraqesin certifikata të fëmijës e familjaren. Po ashtu, vërtetimet e punës. Meqë ka çerdhe me numër të lartë aplikimesh, sidomos në Tiranë, fillimisht iu jepet e drejta për regjistrim fëmijëve me prindërit në punë. Ndërkaq, nga 10 deri më 21 qershor, hapet faza e aplikimeve zyrtare për kopshtet.

Zhaneta Beqiri, Drejtoreshë e Çerdheve dhe Kopshteve në Tiranë:

Prindërit duhet të kenë me vete dy certifikata, atë të fëmijës e familjaren, si edhe vërtetimet e punës. Kjo për shkak se kemi çerdhe që kanë numër të lartë aplikimesh dhe fillimisht iu japim të drejtën për regjistrim atyre fëmijëve që prindërit i kanë në punë dhe e kanë më të nevojshme.

Kjo kategori shoqërohet edhe me fëmijët e tjerë të kategorive prioritare, si fëmijët me aftësi të veçanta apo që trajtohen me ndihmë ekonomike. Por, kjo nuk do të thotë që fëmijët që nuk i kanë prindërit në marrëdhënie pune, nuk e kanë të drejtën të marrin shërbimin. Të gjithë duhet të socializohen e në varësi të hapësirave do të bëhen regjistrimet.

Socializimi i të vegjëlve është thelbësor për mirërritjen e tyre.  Për fëmijët që janë në çerdhe, prindërit nuk e kanë të nevojshme të aplikojnë për të marrë shërbimin në kopësht. Por, në mjediset e çerdhes, në një nga ditët që shkojnë për të marrë fëmijët, plotësojnë një formular për një nga kopshtet që duan të frekuentojnë në muajin shtator.

Me popullatën më të madhe, Bashkia e Tiranës ka edhe një interes në rritje të prindërve për t’i regjistruar fëmijët në çerdhet dhe kopshtet shtetërore. Drejtoresha Zhaneta Beqiri tregon se lindi nevoja për shtimin e katër strukturave të reja:

Nga viti në vit, numri i fëmijëve që marrin shërbimin ka ardhur në rritje. Momentalisht janë 12 mijë fëmijë në ditë. Për t’iu dhënë përgjigje kërkesave në rritje, ne jemi duke marrë objekte me qira, në njësitë nr. 12 e 13, në zonën e Kasharit, në njësinë 9. Janë edhe dy objekte që do hyjnë në shërbim.