Ka nisur procesi gjyqësor ndaj aktivistes së klimës Greta Thunberg, për një vepër kundër rendit publik pas protestave të organizuara në qendër të Londrës vitin e kaluar. 21-vjeçarja nga Suedia u arrestua gjatë protestës pranë hotelit InterContinental në Londër më 17 tetor, ku drejtuesit e kompanive të naftës po mblidheshin për eventin e Forumit të Inteligjencës Energjetike.
Thunberg dhe dy protestues të tjerë nga organizata Fossil Free London (FFL) dhe Greenpeace, deklaruan në Gjykatë në nëntor se nuk kishin shkelur Aktin e Rendit Publik 1986 duke bllokuar hyrjen në hotel. Aktivistja britanike e Greenpeace, Maja Darlington, tha se persekutimi i Gretës dhe protestuesve të tjerë paqësorë, tregon se qeveria kujdeset më shumë për rritjen e fitimeve të bosëve të naftës sesa për të luftuar për të ardhmen e jetës.
Organizata Fossil Free London qëndron gjithashtu me Thunberg dhe protestuesit. “Mbretëria e Bashkuar po kriminalizon aktivistët paqësorë të klimës si Greta ndërsa hap tapetin e kuq për kriminelët e klimës në hotelet e Londrës,”-tha zëdhënësja e FFL, Joanna Warrington. Rikujtojmë, se Greta Thunberg në vitin 2019 u shpall Personi i Vitit nga revista Time. Thunberg, është bërë e njohur në shumë vende kur nisi e vetme një grevë në shkollë për ndryshimet klimatike. Kalimtarët shprehën keqardhje ndërsa panë 15-vjeçaren e ulur në kalldrëm me një pankartë të shkruar me dorë, për reduktimin e efektit serrë.