Grupi militant libanez, Hezbollah kreu sulm me dronë sot në veri të Izraelit ndërsa ushtria izraelite deklaroi se dy ushtarë të saj u plagosën gjatë goditjes që po vjen në kohën kur është rritur frika për një konflikt rajonal.
Javën e kaluar u vra një komandant i lartë i Hezbollahut në Liban dhe në Republikën Islamike të Iranit u vra udhëheqësi politik i Hamasit, grupit palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Përmes një njoftimi, Hezbollahu që mbështetet nga Irani u shpreh se ka shënjestruar një bazë ushtarake në veri të Izraelit, në përgjigje të “sulmeve dhe vrasjeve” të kryera nga shteti hebraik në disa fshatra në jug të Libanit.
Sulmi nuk duket se është pjesë e një kundërpërgjigje të ashpër që pritej lidhur me vrasjen e komandantit të Hezbollahut, Fouad Shukur në Bejrut. Ushtria izraelite njoftoi se shërbimet e zjarrfikësve punuan që të lokalizonin e shuanin zjarrin që shpërtheu si pasojë e sulmit në Ajelet Hashahar.
Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer të shtëna me armë pothuajse çdo ditë, që kur nisi lufta në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit, më 7 tetor të vitit të kaluar.
Vrasja e shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, javën e kaluar në Teheran të Iranit dhe ekzekutimi i komandantit të Hezbollahut, Fouad Shukur, në Bejrut kanë rritur tensionet në rajon. Nga ana tjetër, Izraeli po bëhet gati për një kundërpërgjigje nga Irani dhe milicitë aleate të tij.
Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se po heton atentatin që la të vrarë 62 vjeçarin Haniyeh kur ai gjendej në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian, në fund të korrikut.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, menjëherë dënoi vrasjen, duke e cilësuar “zhvillim të rrezikshëm”. Disa shtete dënuan sulmin. Rusia e quajti “vrasje të papranueshme politike”, ndërsa Turqia paralajmëroi se vrasja e liderit politik të Hamasit do të zgjasë luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Izraeli është zotuar se do të vrasë udhëheqësit e Hamasit për shkak të sulmit që grupi radikal palestinez kreu brenda territorit izraelit më 7 tetor.