Bota

Nis hakmarrja e Hezbollahut, fillon sulmet në veriun e Izraelit!

Grupi militant Hezbollahu i Libanit ka nisur një sulm të ri masiv në pjesën veriore të Izraelit.

Ky sulm vjen, pas njoftimit nga ushtria izraelite se ka vrarë një nga anëtarët e lartë të Hezbollahut, gjatë ditës së sotme.

Mediat izraelite raportojnë se sirenat kanë rënë në qytetin e Kiryat Shmona, që ka qenë dhe më parë cak i sulmeve libaneze. Dyshohet se sulmi është hakmarrje pas vrasjes së komandantit.

“Disa raketa u hodhën nga Libani në Kiryat Shmon dhe zona të tjera, si dhe në pjesën veriore të Lartësisë Golan. Nuk pati raportime për të lënduar nga sulmet”, njoftoi IDF.

Vdekja e komandantit libanez është konfirmuar nga Hezbollahu, teksa komunikoi se Muhammad Nimah Nasser u vra në një sulm të papritur izraelit në qytetin e Tiros. Komandanti drejtonte njësinë “Aziz”, e cila ndodhej në jug në Liban.

Edhe ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant komentoi tensionet me Libanin, duke thënë se ushtarët izraelitë që po luftojnë në Gaza, mund të luftojnë dhe në frontin libanez.

“Çdo ditë ne godasim fort dhe fuqishëm Hezbollahun dhe gjithashtu do të arrijmë një gjendje gatishmërie të plotë. Ne preferojmë një marrëveshje, por nëse realiteti na detyron, ne do të dimë të luftojmë”, tha Gallant.