Grupet e punës të bashkisë së Vlorës po vijojnë punën për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e 4 ditëve më parë. Kryetari i bashkisë, Ermal Dredha tha se “prej orëve të para të mëngjesit, grupet e evidentimit të dëmeve janë në terren në të gjitha rajonet”.
Ne po bëjmë gjithçka të mundur për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë atyre që janë dëmtuar nga përmbytjet.
Reshjet e shiut që filluan intensivisht katër ditë më parë dhe zgjatën për disa orë shkaktuan përmbytje në disa zona të qytetit të Vlorës. Ekipet e bashkisë po vijojnë gjithashtu pastrimin e rrugëve dhe zonave publike të prekura nga reshjet.
Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes informoi se situata në qytetin e Vlorës është përmirësuar ndjeshëm pas problematikave që sollën reshjet intensive të shiut, ndërsa të gjitha rrugët janë të kalueshme nga mjetet dhe këmbësorët. U njoftua edhe se “po vijon puna për pastrimin e disa akseve nga inertet, si dhe heqjen e ujit nga garazhet nëntokësore të disa pallateve”.
Në ndihmë të Bashkisë Vlorë, janë angazhuar 31 efektivë të FA me 10 mjete transporti dhe 8 motopompa me kapacitete të ndryshme. Sipas porosisë së lënë në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile në Prefekturë është kontaktuar me strukturat lokale për të evidentuar sa më shpejt sipërfaqen e përmbytur, banesat, bizneset, objektet shtetërore, shkollat, objektet kulturore, qendrat shëndetësore, rrugët, automjetet dhe çdo infrastrukturë tjetër të prekur.
Në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit janë dërguar për banorët e prekur 4,5 ton mallra ushqimore, 1,5 ton ujë dhe 200 litra detergjentë. Forcat operacionale do të vijojnë punën deri në kthimin e plotë të situatës në normalitet.
Ndërkaq, kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha shprehej:
Përpjekjet tona janë përqendruar për të ndihmuar çdo familje dhe biznes të prekur nga reshjet. Në ditët në vijim, bashkia, së bashku me grupet e dedikuara do të dalë në terren për të ndihmuar qytetarët dhe për t’u siguruar që ata marrin mbështetjen financiare të nevojshme, për të rikthyer normalitetin në jetët e tyre. Si gjithmonë, Bashkia e Vlorës është pranë komunitetit dhe do të bëjë çmos për të mbështetur ata që janë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.