Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e cilësoi investim strategjik në sigurinë e rajonit, rolin e Bullgarisë në mbështetje të integrimit në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Rossen Jeliazkov, në Tiranë, Nikolla shtoi se ky qëndrim i Bullgarisë është një garanci për sigurinë e rajonit, në veçanti kur palë të treta po tentojnë të rrisin ndikimin e tyre në Ballkan.
Kolegut Jeliazkov i shpreha mirënjohje për mbështetjen e qëndrueshme dhe të artikuluar qartë të Bullgarisë ndaj integrimit europian të Shqipërisë dhe se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë procesit të negociatave.
Shqipëria vlerëson politikën e jashtme konstruktive të Bullgarisë, fokusin tek fqinjësia e mirë dhe përpjekjet për rritjen e rolit në nismat rajonale. Vlerësova gjithashtu rolin e Bullgarisë si përkrahëse e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, që e konsiderojmë si një investim strategjik dhe garanci për sigurinë e tij në të ardhmen dhe sidomos, kur palët e treta po punojnë për të rritur ndikimin e tyre në rajon.
Bullgaria dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim të mirë në kuadër të Kombeve të Bashkuara, i cili u konfirmua gjatë mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Vendet tona mbajnë të njëjtat qëndrimet sa i takon agresionit të paligjshëm dhe të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës dhe rikonfirmojmë mbështetjen tonë për rehabilitimin e Ukrainës.
Në aspektin ekonomik, ajo tha se dy vendet kanë hapësira të mëdha ku të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre. Vlerësuam se janë të gjitha mundësitë që të dyja vendet të zgjerojnë bashkëpunimin dypalësh në fusha me interes reciprok, infrastruktura, energjia, industria minerale, bujqësia, TIK, arsimi, kultura, mjedisi, sporti, siguria…etj.
Kryetarja e Kuvendit gjatë fjalës së saj theksoi se në takim vlerësoi rolin e pakicave kombëtare, si ura bashkëpunimi dhe asete kulturore.
Vendet tona i konsiderojnë pakicat kombëtare si urë për miqësinë e gjatë dhe të qëndrueshme, si dhe një aset për vlerat dhe shoqëritë tona.
Diskutuam për mundësinë për intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar dhe marrëdhënieve dypalëshe, vijimin e mbështetjes së Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në integrimin europian. Bashkëpunimi për mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, Europë dhe më gjerë. Ramë dakord të intensifikojmë bashkëpunimin mes Kuvendit dhe Asamblesë kombëtare, duke shtuar vizitat në nivele të larta, komisioneve parlamentare, grupeve të miqësisë dhe deputetëve.