Reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme në disa zona të vendit.
Në Fushë-Arrëz vijojnë të jenë të izoluar disa fshatra. Ndërkohë të gjitha rrugët nacionale janë të hapura. Autoritetet kërkojnë nga shoferët që të bëjnë kujdes gjatë natës për shkak të ngricave dhe akullit.
Pas reshjeve intensive të borës që përfshinë veriun dhe juglindjen e vendit, situata po shkon drejt normalizimit. Në qarkun e Shkodrës, problem mbetet vetëm bashkia Fushë-Arrëz.
Për shkak të trashësisë së madhe të dëborës, rrugët që lidhin qytetin me njësinë administrative të Iballës janë të bllokuar duke lënë disa fshatra në izolim. Autoritetet thonë se po vijojnë punën për hapjen e tyre.
Ndërkohë disa fshatra malor të shkodrës, Malësisë së Madhe, Vaut të Dejës e Pukës po përballen me mungesën e energjisë elektirke.
Si pasojë e dëborës në Valbonë u shpëtua një turist nga Kosova i cili kishte mbetur i bllokuar duke eksploruar zonën e alpeve me motor bore.
Në qarkun e Dibrës, reshjet ia kanë lënë vendin ngricës dhe akullit, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa segemente rrugore. Autoritetet apelojnë shoferët që të lëvizin me kujdes sidomos gjatë natës me qëllim evitimin e aksidenteve.
Drejt normalizimit po shkon situata edhe në qarkun e Elbasanit. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në aksin nacional Librazhd-Peshkopi si dhe në disa rrugë të fshatrave rurale,
Edhe në juglindje të vendit, policia rekomandon përdorimin e gomave dimërore dhe zinxhirëve në disa rrugë për shkak të dëborës dhe prezencës së akullit. Ndërkohë firmat kontraktore po hedhin kripë në të gjithë këto segemente.