Së fundmi është bërë e ditur se tre leopardë dëbore kanë ngordhur nga COVID-19, në një kopsht zoologjik për fëmijë në Nebraska. Leopardët, të quajtur Ranney, Everest dhe Makalu të Kopshtit Zoologjik të Fëmijëve “Lincoln” e morën virusin në tetor. Kopshti Zoologjik me anë të një postimi në rrjetin social Facebook u shpreh se:
Kjo humbje është vërtet zemërthyese dhe ne të gjithë jemi të pikëlluar së bashku.
Ndërkaq, kopshti zoologjik tha se nuk e di se si leopardët u infektuan me virusin. Veterinerët i trajtuan me steroide dhe antibiotikë, por pa rezultat. Dy tigra sumatranë, Axl dhe Kumar, gjithashtu u infektuan me virusin, por u shëruan. Kopshti Zoologjik i Fëmijëve ”Lincoln” ka qëndruar i hapur gjatë gjithë kohës.
Disa leopardë dëbore në të gjithë vendin kanë rezultuar pozitivë me virusin COVID-19 gjatë gjithë pandemisë dhe shumë kopshte zoologjike kanë vaksinuar një përqindje të madhe të kafshëve të tyre.
Ndërkaq, ju rikujtojmë, se një qen ka rezultuar pozitiv me COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar. Agjencia e Sigurisë së Shëndetit ka konfirmuar se rastet me COVID tek kafshët shtëpiake janë të rralla. Ata thonë se ende nuk ka prova të mjaftueshme që qentë, macet apo kafshët e tjera shtëpiake të mund të transmetojnë virusin tek njerëzit.
Mendohet se qeni e ka marrë virusin nga pronarët e tij dhe tani është duke u trajtuar në shtëpi nën kujdesin e mjekëve. Pronarët dhe njerëzit që punojnë me kafshët duhet të lajnë duart shpesh për një higjienë të mirë. Gëzofi i kafshëve mund të shërbejë si mbartës i virusit për një kohë të shkurtër.
Mos ndani ushqimet, pjatat apo sende të tjera të kujdesit personal me kafshët tuaja. Është shumë e rrallë që qentë të infektohen, por edhe në rastet që ndodh, ata zakonisht tregojnë vetëm shenja të lehta klinike dhe shërohen brenda pak ditësh.