Bota Botë e Çuditshme

Ngordhin 4 gazela, veterinerja fajëson festivalin muzikor!

Katër gazela kanë ngordhur në një strehë të kafshëve të egra në qytetin spanjoll të Almeria dhe ngordhja e tyre lidhet me një festival muzikor të mbajtur pranë qendrës. Veterineri i vendstrehimit i tha BBC-së se kafshët ishin të trazuara gjatë festivalit të shtunën, më 22 qershor, por situata u përkeqësua të nesërmen. Veterinerja, Dr. Sonia Dominguez nga Estación Experimental de Zonas Áridas, duke folur për median, tha se ajo kishte kërkuar me grupin e saj që koncerti të zhvendosej në një vend tjetër që kur u njoftua.

Por Almería Cultura, qendra kulturore e qytetit, mbrojti vendimin e saj për të vazhduar me eventin. Kafshët janë më të ndjeshme se njerëzit ndaj tingujve dhe dridhjeve. Autoritetet lokale shprehën keqardhje për ngordhjen e tyre. Dr. Dominguez tha se qendra u ka kërkuar zyrtarëve të qytetit të zhvendosin eventet e ardhshme në një vend të ri në mënyrë që kafshët të mos shqetësohen, por ende nuk ka marrë një përgjigje.

Të gjitha kafshët e qendrës së mbrojtjes kërcënohen me zhdukje në Afrikën veriore dhe qendra luan një rol jetik në ruajtjen e biodiversitetit në mbarë botën. Kafshët janë të rrezikuara, sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) dhe listës së tij, e cila konsiderohet si më gjithëpërfshirësja për statusin e kafshëve në mbarë botën.