Alpinisti nepalez Kami Rita Sherpa arriti së fundmi majën e Malit Everest për herë të 27-të dhe kështu vendosi një rekord të ri. “Ai arriti me sukses majën këtë mëngjes si udhërrëfyes i një alpinisti vietnamez,”-tha për AFP organizatori i ekspeditës së tij Mingma Sherpa. Ai shtoi se të dy arritën në samit në orën 8:30 të mëngjesit.
Jeta e Kami Rita-s ka qenë e lidhur me malin që në fëmijëri. Babai i tij, Mingma Tshering Sherpa, ishte një nga udhërrëfyesit e parë profesionistë në Everest kur Nepal filloi të lejonte alpinistët ndërkombëtarë në vitin 1950 dhe Kami Rita kishte punuar duke transportuar pajisje në kampin bazë të Everestit që kur ishte 12 vjeç.
Të dielën, një tjetër alpinist, Pasang Dawa Sherpa, arriti majën e Malit Everest për herë të 26-të, duke barazuar rekordin e tij. Një udhërrëfyes i alpinistëve në Himalaje për më shumë se 20 vjet, Kami Rita Sherpa kishte arritur majën 8848 metra për herë të parë në 1994.
Që atëherë ai ka ngjitur Everestin pothuajse çdo vit dhe madje ka udhëhequr vazhdimisht grupin e parë të alpinistëve të caktuar për të hapur rrugën drejt majës. I quajtur “njeriu i Everestit”, Sherpa lindi në vitin 1970 në Thame, një fshat i Himalajeve i famshëm për prodhimin e alpinistëve të talentuar.