Aktualitet Politikë

Ngjarjet kriminale në Tiranë, Basha: Alarm për situatën e rendit!

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha reagoi pas dy atentateve mafioze në Tiranë më 14 nëntor e në orët e para të mëngjesit, si dhe vrasjes tragjike të një 14-vjeçari pranë shkollës 9 vjeçare “Fan Noli”, një ditë më parë. Në një postim në rrjetet sociale, Basha theksoi se ngjarjet tregojnë përshkallëzimin e dhunës dhe degradimin e rendit në vend.

Sipas tij, shkollat janë kthyer në vende të rrezikshme për nxënësit.

Dy atentate mafioze në pak ditë që tronditën Tiranën dhe vrasja tragjike e 14-vjeçarit te “Fan Noli”, janë një alarm për dhunën që ka mbërthyer vendin. Shkollat janë kthyer në vende ku trafikantët shesin lëndë narkotike, duke i bërë ato të rrezikshme për nxënësit dhe një shqetësim të përditshëm për çdo prind, ndërsa zona të tëra të Shqipërisë janë jashtë kontrollit të shtetit, sepse bandat diktojnë me ligjin e dhunës dhe me leje politike, shkroi Basha.

Sipas Bashës, “kjo është pasqyra e degradimit të rendit dhe sigurisë. Basha shprehet se vendi qeveriset nga një kryeministër që ka ardhur në pushtet me mbështetjen e krimit të organizuar dhe e ka vendosur pushtetin në shërbim të krimit të organizuar”.

Motoja e Edi Ramës “Kokat hëngshin” nuk është ligji që duhet të mbizotërojë në Shqipëri. Forca e ligjit nuk duhet të tolerojë askënd, vuri në dukje Basha.

Më herët, sot në Kuvendin e Shqipërisë, reagoi edhe Ina Zhupa. Deputetja demokrate kërkoi dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, si dhe vuri në dukje se nuk mund të reagohet për sigurinë në shkolla vetëm kur ndodhin ngjarje të tilla në vend.

Uroj që ministrja Manastirliu, e cila nuk ndodhet këtu, të jetë duke shkruar dorëheqjen. Më vjen shumë keq që ne duhet të kthejmë kokën nga arsimi vetëm kur ndodh një rast i tillë. Ju flisnit këtu për paketën e sigurisë në shkolla, ku e çuat? Te thikat që hyjnë në shkolla, te hashashi dhe droga që hyjnë në shkolla?