Aktualitet

Ngjarje e rëndë/ Vritet recepsionisti i një hoteli në Dhërmi (EMRI)

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Dhërmi, ku punonjësi i recepsionit në një hotel, është qëlluar me armë zjarri. 31-vjeçari nuk është gjetur ende.

Policia ka marrë njoftimin ditën e sotme (6 qershor) se punonjësi kishte humbur kontaktet me pronarët e hotelit.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Eraldo Nevruzi, është qëlluar me armë  zjarri në orën 00:30 nga shtetasi Gerald Shehu, 43-vjeç, lindur në Tepelenë, banues në Angli.

Dyshohet se autori pasi ka kryer krimin është larguar në drejtim të Greqisë.

Grupi hetimor, po vijon punën për gjetjen e shtetasit Eraldo Nevrozi, si dhe për zbardhjen e rrathanave.

Njoftimi i policisë:

Himarë/Informacion paraprak

Më datë 06.06.2024, Policia ka marrë njoftim se në Dhërmi, Himarë, shtetasi E. N., 31 vjeç, banues në Tiranë, punonjës në recepsionin e një hoteli në Dhërmi, Himarë, kishte humbur kontaktet me pronarët e hotelit.

Me marrjen e njoftimit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Himarë kanë ngritur një grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në hotel dhe kanë kryer një sërë veprimesh hetimore. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N. është qëlluar me armë zjarri, rreth orës 00:30, nga shtetasi G. Sh., 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli.

Nga veprimet e tjera hetimore rezulton se pas ngjarjes shtetasi G. Sh. është larguar drejt Greqisë.

Janë administruar në cilësinë e provës materiale, prova ligjore, si dhe janë shoqëruar deri në këto momente, për t’u pyetur në lidhje me këtë ngjarje, 29 shtetas.

Nga tërësia e veprimeve të deritanishme dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën intensivisht për gjetjen e shtetasit E. N., si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Në vijim, do të ketë njoftime të tjera për veprimet e kryera nga grupi hetimor.