Aktualitet

Ngjarja tragjike e vrasjes së 14-vjeçarit, dëshmia e autorit: U zumë se po më shikonte!

Është zbardhur dëshmia e 14-vjeçarit Mario Perlleshi, i cili para dy ditësh vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij, Martin Canin, ngjarje e cila ka tronditur mbarë opinionin publik.

Në dëshminë e siguruar nga gazetarja e Top News Alketa Shaba, 14-vjeçari ka deklaruar se sherri ka nisur “sepse po më shikonte”.

Jemi zënë të premten sepse po më shikonte. E kishin lënë për t’u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të hënën. Ai lajmëroi shokët si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes ndodhi ajo që ndodhi.

I pyetur nëse është penduar ai nuk ka pranuar të flasë. Ndërkohë as thikën nuk tregon se ku e ka fshehur. 14 vjeçari Perlleshi ka thënë se nuk e kishte në shkollë brenda, por e kishte fshehur diku aty afër.

Ngjarja që ka tronditur opinionin publik ka ndodhur mesditën e së hënës, pas përfundimit të mësimit. Autori dhe viktima kishin lënë të sqaroheshin, por që rezultoi fatale për Martin Canin.

14-vjeçari Mario Perlleshi është arrestuar nën akuzën “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.