Aktualitet

Ngjarja në Shkodër, Hoxha: Shumë shpejt do të kemi rezultat konkrete!

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, reagoi sot lidhur me atentatin e ndodhur në Dobraç të Shkodrës, ku humbën jetën tre persona dhe një tjetër u plagos. Në një prononcim për mediat, Hoxha theksoi se policia po punon me kapacitete të plota për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe se në Shkodër janë dërguar ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale. Hoxha gjithashtu nënvizoi se kapacitetet e Policisë së Shtetit janë duke u rritur për të përballuar situata të tilla, duke siguruar kështu një përgjigje më efikase ndaj ngjarjeve makabre.

Dje të gjitha forcat e Policisë së Shtetit kanë shkuar në Shkodër për të bërë të mundur arrestimin e autorëve. Ata janë atje për të bërë detyrën e tyre. Shumë shpejt do të kemi një rezultat konkret në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur dje.

Dyshohet për katër autorë në atentat. Dy qitës qëlluan me breshëri kallashnikovi ndaj dy shënjestrave që dje pasdite në Dobraç udhëtonin në të njëjtën makinë, Hamza Liçi, vëllai i të kërkuarit Ibrahim Liçi e Arlind Bushati. Ndërkohë, një person i tretë ka qenë duke drejtuar mjetin “Range Rover” të autorëve e dyshohet se u përfshi një tjetër, në rolin për të ndihmuar qitësit të largoheshin pasi dogjën makinën e tyre.

Vazhdojnë hetimet për ngjarjen e rëndë të një dite më parë në Shkodër, me tre viktima, mes tyre një grua që nuk kishte lidhje me shënjestrat e një të plagosur, bashkëshorti i saj. Shtetasi Bashkim Basha ndodhet në spital në gjendje të rëndë.  Mësohet se në polici janë shoqëruar rreth 20 persona. Në lagjen Dobraç të qytetit verior u qëllua ndaj automjetit të viktimave Hamza Liçi e Arlind Bushati, i cili ndërroi jetë në spital disa orë më vonë. Xhemal Bushati, babai i Arlind Bushatit ishte kandidat i PD-së së Bashës në zgjedhjet vendore të 6 marsit 2022 për kryebashkiakun e Shkodrës.

Në makinën ku udhëtonin Liçi e Bushati, policia njoftoi se gjeti tre pistoleta. Ndërkaq, gjatë kontrollit të zonës në përpjekjet për kapjen e autorëve, në fshatin Golem, shërbimet policore konstatuan të djegur plotësisht “Range Rover”-in me dy armë zjarri automatike në brendësi. Dje në mbrëmje, forcat RENEA hynë për kontrolle në Dobraç.

Mes afro 20 vetëve të shoqëruar në Policinë e Shkodrës ka qenë edhe Safet Bajri, i cili qëndroi rreth dy orë në komisariat e mësohet se ka mohuar çdo lidhje me atentatin me tre viktima. Nga disa burime mësohet se Bajri deklaroi se gjatë kohës kur ndodhi ngjarja, ai ka qenë në shtëpi me familjen.  Sipas Bajrit, shtëpinë e ka të monitoruar me kamera duke shtuar se “kjo provon se ka qenë në banesë në çastin e atentatit”. Siç është bërë e ditur, në Shkodër vijojnë prej vitesh armiqësitë mes fiseve Liçi e Bajri.