Zbardhet identiteti i viktimës në Elbasan. I riu humbi jetën pasi i shpërtheu tritoli që po tentonte t’i vendoste makinës së parkuar të shtetasit Renato Çepa, sot herët në mëngjes, në lagjen Shënkoll të qytetit. Kristi Balukja, 24 vjeç, i cili nuk rezulton të ketë patur precedentë penalë, gjeti vdekjen.
Ndërkohë, nga informacione paraprake, dyshohet se shënjestra e atentatit të dështuar ka qenë pjesë e grupit të Emiliano Ramazanit, i vrarë para disa viteve, po në Elbasan. Po ashtu, mësohet se kohë më parë ka pasur një konflikt fizik e që mund të jetë bërë shkak për “hakmarrje”. Policia vijon hetimet.
Më herët në një njoftim paraprak zyrtar, blutë e Elbasanit informonin:
Rreth orës 04:10, në lagjen “Shënkoll”, dyshohet se një shtetas rreth 24 vjeç, duke vendosur lëndë eksplozive në automjetin tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetasit Renato Çepa, lënda eksplozive ka shpërthyer dhe për pasojë 24 vjeçari është dëmtuar dhe transportuar në spital. Si pasojë e plagëve të marra 24-vjeçari ka humbur jetën në spital.