Toyota po shtyn datën e fillimit të prodhimit të automjeteve elektrike (EV) në SHBA, pasi kërkesa globale për makina me bateri vazhdon “të zbutet”. Siç kujtojnë mediat e huaja, gjiganti japonez i industrisë motorike synonte të fillonte prodhimin në fund të 2025 ose në fillim të 2026. Por Toyota tani pret të nisë operacionin e saj me EV në SHBA në një kohë të papërcaktuar në vitin 2026.
Kujtojmë se disa prodhues të tjerë të mëdhenj të makinave, duke përfshirë Volvo dhe Ford, së fundmi kanë zvogëluar planet e tyre për EV. “Ne jemi ende të fokusuar në objektivin tonë global [automjet elektrike me bateri] prej 1.5 milion automjetesh deri në vitin 2026″-tha zëdhënësi i Toyota Scott Vazin, duke shtuar se në dy vitet e ardhshme ajo planifikon të prezantojë 5 deri në 7 automjete elektrike me bateri në tregun amerikan.
Në fillim të këtij viti, firma njoftoi se po investonte 1.3 miliardë dollarë në fabrikën e saj në Kentucky, si pjesë e planeve për të ndërtuar një SUV atje. Kompania ka njoftuar gjithashtu planet për të ndërtuar një model tjetër elektrik në një fabrikë në Indiana. Njoftimi i Toyota erdhi ndërsa industria globale e makinave vazhdon të luftojë me dobësimin e kërkesës për automjete elektrike në disa tregje kryesore.
Toyota nuk u nxitua me tranzicionin elektrik dhe ngadalësimi i tregut të makinave elektrike tregon se ishte vendimi i duhur. Kohët e fundit, ajo madje investon fonde të caktuara në zhvillimin e teknologjive të reja të motorëve me djegie të brendshme. Toyota përshtati motorin me benzinë që të funksionojë me hidrogjen dhe tani i shtoi një filtër të njëjtit motor që mbledh dioksid karboni (CO2) gjatë drejtimit.
Ky filtër mund të përdoret edhe në benzinë ose hibride. Toyota aktualisht po eksperimenton me këtë koncept në makinën e saj të garave GR Corolla me hidrogjen. Testet fillestare tregojnë se kjo risi mund t’i bëjë makinat e saj negative CO2, jo vetëm neutrale. Prandaj, ata do të eliminonin më shumë CO2 nga atmosfera sesa prodhojnë.