Ditën e djeshme është publikuar intervista ekskluzive e Princit Harry dhe dukeshës Meghan Markle, me prezantuesen ikonike televizive, Oprah Winfrey. Meghan Markle ka theksuar se ka menduar vetëvrasjen në muajin e 5-të shtatëzënisë, kunata Kate e ka bërë të qajë e sipas saj familja mbreterore shqetësohej se sa e errët do të ishte ngjyra e lëkurës së djalit Archie.
Këto janë vetëm disa nga deklaratat bombë të dukeshës së Sussex-it në intervistën e shumëpritur për Oprah Winfreyn të transmetuar mbrëmë në CBS, e para që pas shkëputjes së çiftit nga Buckingham Palace.
Në krah të bashkëshortit Harry, nga shtëpia e tyre në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara, Meghan tregoi se e detyruan “të heshtë”, nuk e mbrojtën nga sulmet e shtypit e madje i mohuan ndihmën kur mendonte vetëvrasjen. Por si ajo ashtu dhe Harry shmangën sulmin ballor me mbretëreshën Elizabetë, për të cilën thanë se e respektojnë shumë.
Gjatë intervistës, Familja Mbretërore u akuzua gjithashtu për dështimin për të mbrojtur dukën dhe dukeshën.
Unë kuptova se jo vetëm që nuk isha e mbrojtur, por se ata ishin të gatshëm të gënjejnë për të mbrojtur anëtarët e tjerë të familjes. Ata nuk ishin të gatshëm të thonin të vërtetën për të më mbrojtur mua dhe burrin tim.
Gjithashtu, pohuan se nuk kanë marrë asnjë shpërblim dhe njoftuan se është vajzë fëmija që presin e se pritet të lindë në verë. Duke u bashkuar me gruan e tij dhe Oprah për gjysmën e dytë të intervistës, Harry foli për marrëdhëniet me pjesën tjetër të familjes së tij. Ai tha se marrëdhënia me gjyshen, Mbretëreshën, ishte me të vërtetë e mirë e ndërsa me babanë e tij, Princin e Uellsit, marrëdhënia ka pësuar luhatje. Harry tha se ndihet me të vërtetë i dëshpëruar. Ai shtoi se ai gjithmonë do ta dojë atë, por është shumë i lënduar.
Rikujtojmë, se Dukesha e Sussex-it, Meghan Markle ka fituar betejën ligjore kundër ‘Mail On Sunday’ e cila kishte publikuar një letër që Meghan i kishte shkruar babait të saj.