E ftuar sot në “Pardon My French” nëpërmjet një lidhje në Skype ka qenë artistja e njohur, Bleona Qereti. Ajo ka zbuluar më shumë detaje ekskluzive në Top Albania Radio nga projektet e reja në muzikë që ka sjellë dhe do të sjellë, angazhimit të saj në botën e kinematografisë dhe qëllimet që i ka vendosur vetes sa i përket jetës personale.
Bleona ka treguar me detaje edhe se si ka ardhur kjo iniciativë për të pas gjithë këtyre viteve karrierë mjaft të suksesshme në fushën e muzikës.
Iniciativa ka ardhur si pasojë e zhvillimit tim si artiste nuk kam ndërmend të krahasohem me Taylor Swift, Ariana Grande, Dua Lipa apo Rita Ora. Unë për Amerikën do të jem gjithmonë një artiste internacionale që është e famshme diku tjetër dhe për momentin ka një këngë apo një film hit në Amerikë. Kjo ka ardhur si pasojë e albumit tim në anglisht të cilin unë po e realizoj me Timberland.
Këngëtarja iu ka bërë një thirrje të gjithë artistëve shqiptarë që të bashkohen së bashku me një qëllim të vetëm, globalizimin e muzikës shqiptare në botë.
Ka ardhur koha që ne të jemi të gjithë të vërtetë. Duke qenë se po flasim për globalizmin e muzikës dhe artit shqiptar në botë nuk dua të jem unë artistja e vetme që ta bëj këtë punë.
Mendoj që bashkimi bën fuqinë, të gjithë kolegët e mi tek unë e kanë derën hapur, kanë një ftesë të hapur nga unë nëse duan të jenë pjesë në ‘create music group’ për të shpërndarë muzikën e tyre do të ishte kënaqësia më e madhe e imja që ne të vinim si një grup artistësh shqiptarë dhe me të vërtetë të bëjmë globalizimin e muzikës tonë në botë.