Aktualitet

Nga universitetet, kërkimi shkencor nën drejtimin e qeverisë!

Qeveria po propozon një projektligj mbi riorganizimin e sistemit shkencor, ku institucionet vlerësuese të veprimtarisë shkencore do të jenë një Ministri e re, si dhe Akademia e Shkencave. Në dokument planifikohet lindja e një Ministrie të posaçme, përgjegjëse për Shkencën dhe Kërkimin shkencor. Po ashtu, krijimi i një organi këshillimor pranë kryeministrit me emrin Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, i cili synon përmirësimin e veprimtarisë kërkimore në vend.

Në përbërje, ky këshill do të ketë 7 ministra të fushave të ndryshme, si edhe katër përfaqësues nga institucione të Arsimit të Lartë teksa do të jenë pjesëmarrës edhe kryetari i Akademisë së Shkencave, tre anëtarë të Akademisë dhe përfaqësues të agjencive të Inovacionit.

Ministri i Shkencës do të ketë për detyrë hartimin e strategjisë në këtë sektor, si dhe të përcaktojë fushat prioritare të kërkimit shkencor. Në ndihmë të tij do të jetë këshilli me 19 anëtarë i drejtuar nga kryeministri, me bashkëpunimin edhe të ministrave të Bujqësisë, Shëndetësisë, Mbrojtjes, Energjisë, Mjedisit, Inovacionit. Për përzgjedhjen e anëtarëve të universiteteve në këtë bord është kusht që të jenë personalitete të njohur akademikë. Por kompetencat e tyre do të ndryshojnë në krahasim me ligjin për “Arsimin e lartë”, ku gëzonin autonomi universitare në veprimtarinë shkencore.

Fushat, drejtimet, vëllimi i punës dhe afatet e veprimtarisë kërkimore-shkencore përcaktohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë, thotë ligji i arsimit të lartë. Me projektligjin e ri, parashikohet që përgjegjësia t’i kalojë ministrisë, Akademisë se Shkencave dhe Këshillit Shkencor. Pra, pritet të ndryshojnë kompetencat për drejtuesit e fakulteteve, pedagogët, senatet e universiteteve publike e private, të cilat do të jenë nën monitorimin e institucioneve politikbërëse.

Nëse ka kërkesë për krijimin e institucioneve të veçanta për kërkimin shkencor veç universiteteve, Akademisë së Shkencave, Parqeve Teknologjike apo Qendrave të Transferimit të Teknologjive Bujqësore, vendimin e merr ministri përgjegjës, i cili jep lejen përkatëse. Ministri për Shkencën do të ketë fuqi edhe për pezullimin apo mbylljen e tyre kur nga monitorimi vihen re mospërmbushje të kritereve e ka vlerësim negativ. Ndër të tjera do të krijohet Regjistri Kombëtar i Institucioneve dhe Kërkuesve Shkencorë, brenda dy viteve nga miratimi i ligjit.