Lifestyle

Nga sauna një ditë para dasmës te prania e merimangës në fustanin e nuses, zakonet fatsjellëse të martesave në botë!

Ka shumë mënyra dhe zakone në botë që kryhen për të sjellë fat në martesë. Në vendet e Evropës veriore, ceremonitë e dasmave karakterizohen shpesh nga elementë të huazuar nga bota e mbinatyrshme. Në Finlandë, bërja e saunës një ditë para dasmës luan një rol vendimtar në mbrojtjen e nuses dhe dhëndrit nga shpirtrat e këqij, duke favorizuar pastrimin e shpirtit nga dashuritë dhe dhimbjet e kaluara.

Në kulturën norvegjeze, është tingulli melodioz i prodhuar nga varëset tingëlluese të kurorës së dasmës që ka fuqinë të largojë pranitë e këqija. Nëse në Itali pëllumbat janë protagonistë të shumë dasmave si një premtim besnikërie dhe përkushtimi reciprok të çiftit, në Korenë e Jugut janë patat e egra që luajnë të njëjtin rol. Në këtë traditë në fillim të ceremonisë së dasmës dhurohen statuja të gdhendura në dru që përshkruanin këto kafshë. Kuptimi simbolik lidhet me monogaminë proverbiale të patave, e cila besohet se u kalohet të sapomartuarve.

Në folklorin anglez, fati i mirë përfaqësohet nga prania e një merimange në fustanin e nusërisë. Një fjalë e urtë popullore angleze nënvizon rëndësinë e mosvrasjes së këtyre insekteve shumë të urryera. Në Nigeri pëlhura e fustaneve ceremoniale, përfaqëson forcën e familjes së origjinës dhe është e qëndisur me simbolet shumëngjyrëshe të fiseve të nuses dhe dhëndrit. Ndërsa në perëndim e bardha është ngjyra që lidhet me martesën tradicionale, në Kinë ngjyra dominuese është e kuqja, e cila është e pranishme edhe në detajet më të vogla.

Në Meksikë, takëmet luajnë një rol të rëndësishëm në martesë. Është zakon, një natë para ceremonisë, të mbillen lugë në vendin ku do të mbahet ceremonia e dasmës, me shpresën për të garantuar një ditë me diell. Megjithëse moti i mirë në ditën e dasmës është një nga dëshirat kryesore të bashkëshortëve dhe të ftuarve, sipas një tradite të lashtë hindu, shiu gjatë “po”-së konsiderohet një shenjë pozitive, bartës i lumturisë dhe pjellorisë.

Ndërkaq, familja shqiptare është futur në krizë për shkak të rënies së ndjeshme të numrit të martesave dhe rritjes së numrit të divorceve. Sipas sociologëve papunësia e lartë në radhët e të rinjve me gati 20%, si dhe emigracioni i lartë i kësaj fashe të popullsisë ka sjellë që të rinjtë ta shtyjnë moshën e martesës.