Pas ndryshimeve në qeveri, ku tre drejtorë morën postet e tre ministrive, përkatësisht atë të ministrit të Financave, ministrit të Brendshëm, si dhe të Mbrojtjes, janë emëruar drejtorët e rinj të Portit të Durrësit, AKBN-së, IKMT-së e Kadastrës.
Kreshnik Bajraktari do të jetë drejtori i ri i Autoritetit Portual të Durrësit, duke zëvendësuar kështu Pirro Vëngun, i cili mori postin e ministrit të ri të Mbrojtjes.
Në krye të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) është emëruar Erlind Sulo, emërimi i të cilit vjen pas largimit të Petrit Malaj, i cili do të drejtojë Ministrinë e Financave. Më herët, Sulo ka mbajtur drejtimin e Korporatës Elektro-Energjetike Shqiptare. Po ashtu ka qenë drejtor i Parkut të Butrintit, si dhe këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Dallëndyshe Bici rikthehet në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, pas 16 muajve në krye të Agjencisë Shtetërore e Kadastrës. Bici do të zërë vendin e Ervin Hoxhës, i cili sot mori zyrtarisht detyrën e ministrit të Brendshëm pasi bëri dhe betimin te presidenti Bajram Begaj. Ndërkohë pas largimit të Bicit te IKMT-ja, në krye të Kadastrës vihet Lorena Goxhabelli.
Goxhebelli vjen nga Ministria e Mbrojtjes, ku shërbente si këshilltare e jashtme ligjore për pronësinë në kabinetin e ministrit që prej qershorit 2022. Ka eksperiencë të gjatë në fushën e drejtësisë, fokusuar kryesisht në çështjet e pronësisë, administrimit të tokës, kontratat publiko-private për administrimin e pronës shtet, etj.
Pas votimit në Kuvend, ministrat e rinj sot bënë betimin në Presidencë. Para Kryetarit të Shtetit u betuan Ervin Hoxha si ministër i Brendshëm, Pirro Vëngu si Mbrojtjes, Petrit Malaj i votua si ministër i Financave dhe Taulant Balla si ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Mes kundërshtive të opozitës, ndryshimet e reja në qeveri u votuan dje në Kuvend. Kaosi u rikthye në Parlament pas vendimit të Ramës për të miratuar në një seancë të jashtëzakonshme 4 ndryshime në kabinet, si dhe zgjedhjen e Elisa Spiropalit në krye të Kuvendit.