Sport

Nga numri i tifozëve, te stadiumet dhe golat, ja shifrat e fazës së parë të “Superiores”

Abissnet Superiore ka përmbyllur fazën e parë, me Partizanin që kryeson më 16 pikë, një më shumë se Egnatia dhe Dinamo City. Gjatë 9 javëve të para bien në sy një rritje e numrit të tifozëve, sidomos në stadiumin “Elbasan Arena”.

Nga të dhënat e marra, rezulton që në pjesën e parë të kampionatit në këtë stadium kanë qenë të pranishëm 27500 tifozë, ndërsa në podium janë “Air Albania” dhe Loro Boriçi, që kanë shifra më të ulëta, 18450 tifozë dhe 10500 tifozë.

Për të mbetur te numri i tifozëve të pranishëm në 9 javët e para, numri i tyre ka ardhur në rritje në pesë vitet e fundit. Në sezonin 2022/21 regjistrohet shifra më e vogël, për shkak të mbylljes së stadiumeve prej pandemisë Covid-19.

Më pas rritja ka qenë konstante, duke nisur me 50955 në sezonin 2021/22 e për të vijuar me sezonet pasardhëse me shifrat 61040 dhe 82900 në sezonin e shkuar. Në sezonin aktual kjo shifër në 9 javët e para është 88337 tifozë.

GOLAT – Në 9 javët e para të Abissnet Superiore, dy janë shënuesit më të mirë: Bekim Balaj dhe Peter Mandela Itondo, me nga 5 gola të shënuar. Ata ndiqen nga Ermir Rashica i Skënderbeut me 4 gola.

Në fazën e parë të kampionatit, 10 skuadrat e Abissnet Superiore kanë shënuar 94 gola, mesatarisht 2.08 gola për ndeshje. Kjo shifër është më e ulët në krahasim me një sezon më parë, por më e lartë se në sezonet 2022/23 dhe 2020/21.