Live From Tirana Music Showbiz

Nga kënga dedikuar një personi të veçantë e deri tek projektet filmike, Klodiana Vata zbulon hapat e ardhshëm!

E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë këngëtarja Klodiana Vata, e cila sapo ka publikuar këngën e saj më të re me titull “Justifikime”, që është bërë pjesë e “The Top List” këtë javë. Klodiana, e cila tashmë është zhvendosur në Kanada, ka folur më shumë për këtë rikthim të sajin në muzikë, por dhe për projektet e tjera që do të vijnë së shpejti.

Si lindi projekti “Justifikime”?

“Justifikime” ka ardhur si sugjerim nga Endi Hoxha, djali i cili ka bërë klipin. Ky është klipi i tretë që unë bëj me të dhe është mbaruar para një viti. Kishte kohë që e kishte në studio dhe ma sugjeroi mua. Kur e dëgjova thashë direkt ‘po’. Shumë gjëra u ndryshuan rrugës, për të pasur ato komponentë që më përshtaten mua.

Cili do të jetë projekti i radhës?

Që kur kam ardhur këtu në Kanada kam punuar me shumë projekte, kam demo jo vetëm në shqip por dhe anglisht. Kam punuar dhe me producentë spanjoll. Projekti i radhës mendoj të publikohet në tetor. Dua që projektet e mia të vijnë bukur dhe të përshtaten me imazhin tim dhe atë që unë dua të përçoj tek publiku. Po ashtu jam edhe pjesë e filmit dhe do të fokusohem edhe tek projektet e reja aty. Duke qenë se kam mbaruar për regji filmi mendoj se do të fokusohem dhe aty pas këtyre projekteve. Përveç filmit ku do të vij si regjisore, do të sjell dhe filmin ku do të jem vetë protagoniste.

Çfarë mund të na zbulosh për këngën e re që do të publikohet në tetor?

Është surprizë për një njeri shumë të veçante për mua. Prandaj nuk dua të zbuloj shumë detaje.

Cilën këngë do të veçoje më së shumti nga projektet e tua?

Mendoj që ndër këmgët më të veçanta për mua do të mbetet “Bosh”, për historinë, mënyrën si e kam shkruar dhe si ka ardhur. E kam bërë me shumë dashuri. Kam qenë në një periudhë ndyshimi që ti nuk e kupton se çfarë po ndodh me jetën tëndë. “Bosh” më kujton një periudhë që shumë gjëra po ndodhnin me jetën time, po bëja shumë gjëra pa e kuptuar se ku do të shkoja më mbrapa.

Nëse edhe juve ju pëlqen kënga “Justifikime”, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”.