Aktualitet

Nga Italia drejt Shqipërisë me mbi 680 mijë euro, në pranga 51-vjeçari! (EMRI)

Policia ka arrestuar një 51-vjeçar pasi fshehu mbi 680 mijë euro në dyert e modifikuara të Benz-it për t’i futur ilegalisht në Shqipëri.

Në pranga ka rënë Lefter Nelaj, banues në Fushë Milot, ndërsa dyshohet se paratë e sekuestruara në makinë rrjedhin nga krimi.

Ai u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare të Muriqan në hyrje të Shqipërisë.

“Nga kontrollet në vijë të dytë, në automjetin që drejtonte ky shtetas, u gjetën në 2 hapësira të modifikuara në dyert e pasme, 680 595 euro, të cilat ky shtetas synonte t’i fuste ilegalisht në Shqipëri. Vijojnë hetimet për të provuar burimin e parave”, raportuan uniformat blu.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Burimi”.

Sekuestrohen 680 595 euro që dyshohet se rrjedhin nga krimi.

Fshehu paratë, në dyert e modifikuara të automjetit që drejtonte, me qëllim futjen e tyre ilegalisht në Shqipëri, arrestohet 51-vjeçari.

Sekuestrohen shuma e eurove, automjeti tip “Benz” dhe 2 celularë.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Burimi”.

Gjatë operacionit, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua shtetasi L. N., 51 vjeç, banues në Fushë Milot.

Nga kontrollet në vijë të dytë, në automjetin që drejtonte ky shtetas, u gjetën në 2 hapësira të modifikuara në dyert e pasme, 680 595 euro, të cilat ky shtetas synonte t’i fuste ilegalisht në Shqipëri. Vijojnë hetimet për të provuar burimin e parave.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.