Në vitin 2000 hyri në Librin e Rekordeve Guinness si “DJ më i qëndrueshëm në botë” me karrierë të admirueshme, ndërsa tani vjen lajmi se Reinaldo Maria Cordeiro u shua në moshën 98-vjeçare në Hong Kong, aty ku lindi më 12 dhjetor të vitit 1924. Profesionalisht i njohur si Uncle Ray, Reinaldo Maria Cordeiro ka qenë prezantues radiofonik, DJ dhe aktor në RTHK Radio 3.
Nga një familje me prejardhje portugeze, Uncle Ray ka bërë punë të ndryshme jo me shumë lidhje mes tyre, para të zbulonte pasionin për radion, të cilës i qëndroi besnik deri në fund. Në Hong Kong, Reinaldo Maria Cordeiro ka qenë gardian burgu, madje edhe nëpunës banke menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.
Në moshën 25-vjeçare filloi karrierën në media si skenarist në Radio Rediffusion, një karrierë shumë e suksesshme gjatë së cilës iu dedikua edhe serialeve radiofonikë krahas angazhimit si prezantues e DJ.
Ndonëse vitet e fundit pati probleme shëndetësore të lidhura me zemrën e isheminë dhe që shpesh herë e çuan në dyert e spitaleve, Cordeiro rezistoi gjatë e pranoi të dilte në pension vetëm më 15 maj 2021, në moshën 96 vjeçare. Këtë e bëri pasi drejtoi emisionin e tij të fundit radiofonik “All the way with Ray” në Radio Televizionin Publik të Hong Kongut e që ishte në transmetim nga viti 1970. Në total, punoi 72 vjet në radio e gjithashtu mori famë si aktor.
Beatles, Bee Gees, Ella Fitzgerald apo Frank Sinatra ishin vetëm disa nga ikonat botërore të muzikës që u intervistuan nga Uncle Ray. Vlerësimet dhe pëlqimet nuk i mori vetëm në vendlindje. Në vitin 1987, Mbretëresha Elizabetë e Anglisë i akordoi urdhërin e lartë MBE, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij.
Uncle Ray mbylli sytë dje në qendrën mjekësore CUHK të Hong Kongut dhe autoritetet atje shprehën ngushëllime për lajmin lidhur me ndarjen nga jeta të këtij personaliteti të madh.