Aktualitet

Nga Estonia, Begaj: Linja direkte ajrore Talin-Tiranë rrit shkëmbimet ekonomike e turizmin!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndodhet në Estoni në vijim të vizitave shtetërore që ka ndërmarrë në Republikat Baltike. Ai u prit me një ceremoni shtetërore në pallatin presidencial Kadriorg në Talin nga homologu estonez, Alar Karis, me të cilin zhvilloi takimin kokë më kokë dhe më pas atë me praninë e delegacioneve përkatëse.

Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, finalizimi i procesit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zgjerimi i Unionit në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi për sigurinë kibernetike, Ukraina dhe reagimi kundër agresionit rus, ishin në fokus të bisedës në takimin kokë më kokë mes Presidentëve të dy shteteve.

Begaj shprehu besimin se kjo vizitë do të rrisë bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, si: turizmi, energjetika, siguria kibernetike, shërbimet elektronike dhe në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Kreu i Shtetit e konsideroi lajm të mirë vendosjen e linjës së re të përhershme midis Talinit dhe Tiranës.

Veç mundësive për rritjen e turizmit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, theksoi faktin se mes dy shteteve ka ende hapësira për rritjen e investimeve estoneze në Shqipëri, si në energji, bujqësi, në fushën e teknologjisë së informacionit dhe në atë kibernetike.

Në takim u vlerësua ndihma estoneze ndaj Shqipërisë përballë pasojave nga sulmi kibernetik i vitit 2022 dhe në këtë aspekt, Begaj theksoi se ky bashkëpunim mund të thellohet përmes akademisë estoneze për trajtimin dhe kualifikimin e të rinjve shqiptarë në fushën kibernetike.

Sa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, presidenti Begaj i shprehu homologut Alar Karis mirënjohje për mbështetjen, ndërsa kërkoi që Estonia të jetë më prezente në Shqipëri me ekspertizën e saj për integrimin, si një shtet në pararojë në Bashkimin Evropian për reformën administrative.

Shqipëria është pjesë e Evropës. Reformat në të mirë të qytetarëve do të mundësojnë finalizimin sa më shpejt të anëtarësimit në Union.

Në lidhje me Ukrainën, Kreu i Shtetit rikonfirmoi mbështetjen pa kushte të Ukrainës në këtë përballje me agresionin e padrejtë e të pajustifikuar rus, duke e argumentuar këtë qëndrim aktiv me ndjekjen e parimit të respektimit dhe vendosjes së rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla.