Sport

New York Times: Shqipëria, skuadra që po bën rivalët e “grupit të ferrit” të djersijnë…

Përpara se të zbrisnin në fushë, kroati Luka Modriç kishte paralajmëruar se ky do të ishte “më i vështiri turne”. Me siguri ka pasur në mendje përballjen me Italinë dhe Spanjën, pa e konsideruar fare Shqipërinë në grupin e vdekjes. Skuadra kuqezi, e menaxhuar nga ish-mbrojtësi i krahut të Arsenalit, Barcelonës dhe Brazilit, Sylvinho është goxha fizike dhe është gati që të shfrytëzojë çdo hendek me kros dhe kundërsulme të papritura. Kësaj skuadre iu deshën 23 sekonda për të shënuar në “Euro 2024” duke bërë që Nedim Bajrami të vendoste rekord për golin më të shpejtë të shënuar ndonjëherë në historinë e një Kampionati Europian. Edhe pse Shqipëria e humbi me rezultatin 2-1 ndeshjen me Italinë, goli i tyre shërbeu si paralajmërim: mos e nënvlerësoni këtë ekip!

Ishte një paralajmërim që Kroacia u përpoq ta dëgjonte. Takimi mes tyre ishte patjetër një ndeshje argëtuese. Shqipëria edhe kësaj here doli herët në avantazh pasi Qazim Laci tundi rrjetën që në minutën e 11-të. Në pjesën e parë, Kroacia kishte në 69% të kohës topin në këmbët e tyre, por Shqipëria kishte shanset më të mira të lojës. Kristjan Asllani dhe Rey Manaj trembën disa herë kroatët, por pa sukses.

Kjo ka qenë një temë kryesore për skuadrën e Sylvinhos, të cilëve u mungon rrjedhshmëria sulmuese në disa momente decizive të lojës.

Lëndimet e Manajt dhe Armando Brojës gjatë ndeshjeve kualifikuese nënkuptuan se asnjë sulmues nuk kishte krijuar atë lloj kimie të lojës që i nevojitet skuadrës për të qenë një skuadër e fuqishme kundër-sulmuese. Vendimi i menaxherit për të lënë jashtë skuadrës prej 26 lojtarësh për turneun, Myrto Uzuni, Keidi Bare dhe Sokol Cikalleshi gjithashtu bëri bujë. Cikalleshi nuk ishte golashënuesi më pjellor, por loja e tij e qëndrueshme i dha Shqipërisë një terren të vlefshëm në ndeshjet kualifikuese.

U deshën një ‘grusht’ ndryshimesh në pjesën e dytë që Kroacia të ndryshonte lojën në favorin e saj. Marcelo Brozoviç dhe Lovro Majer u zëvendësuan nga Mario Pasaliç dhe Luka Suçiç në pjesën e parë. Kroacisë iu rrit vetëbesimi. Mbrojtësit e tyre të krahut depërtuan gjithnjë e më tej në fushë, derisa gjetën golin në minutën e 74-të. Dy minuta më vonë, u shënua goli tjetër. Më konkretisht, një autogol nga mesfushori mbrojtës i Shqipërisë, Klaus Gjasula. Shqipëria mund të ishte shembur, por ata gjetën disi golin e dytë.

Te Asllani kanë një mesfushor të kompozuar kur është në zotërim të topit. 22-vjeçari po e tregon se vlen të jetë zëvendësuesi i Brozoviç tek Interi.

“Duhet të luftojmë për çdo pikë. Për vendin dhe për federatën tonë,”- ky ishte vlerësimi i Sylvinhos pas ndeshjes për lojën.

Braziliani shpesh përmend djersën dhe respektin. Puna e palodhur është minimumi dhe përbërësi më i rëndësishëm për këtë skuadër, këtë e tregon edhe fakti se ata mund të jenë të egër para portës ( Mirlind Daku u ndëshkua sepse humbi topin dhe goditi Josko Gvardiol në anën e kokës).

Megjithatë, në një mënyrë apo tjetër, e gjetën golin e dytë në minutën e 94. Gjasula u bë lojtari i vetëm që shënon autogol dhe gol në të njëjtën ndeshje, duke i dhënë skuadrës së tij një shans të vogël për të kaluar në raundin e 16-të.

“Kjo është Shqipëria; është pak e çmend,”- tha Asllani pas barazimit 2-2.

Tani djemtë e Sylvinhos do të duhet të jenë në maksimumin e tyre për të marrë një rezultat të mirë kundër Spanjës në ndeshjen e tyre të fundit në grup, por ata janë një ekip që nuk ka pasur kurrë frikë nga puna e vështirë. Shqipëria nuk tërhiqet dhe kjo e bën një kundërshtar të vështirë në këtë turne.