Kompania e miliarderit Elon Musk për implantet e trurit, Neuralink, tha së fundmi se kishte marrë miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të nisur studimin e parë klinik tek njerëzit. Musk kishte parashikuar se kompania e tij e çipave të trurit do të siguronte së shpejti miratimin e FDA-së për provat njerëzore.
Por aplikimi i kompanisë u refuzua në fillim të vitit 2022 dhe kompania po punonte lidhur me shqetësimet e agjencisë mbi sigurinë e implantit eksperimental. Kompania Neuralink përmes një postimi në Twitter tha se:
Ky është rezultat i punës së jashtëzakonshme nga ekipi i Neuralink në bashkëpunim të ngushtë me FDA-në dhe përbën një hap të parë të rëndësishëm që një ditë do të lejojë teknologjinë tonë të ndihmojë shumë njerëz.
Neuralink shtoi se kompania nuk është ende e hapur për një provë klinike. Neuralink po zhvillon një implant truri që shpreson se do të ndihmojë njerëzit e paralizuar të ecin përsëri dhe të kurojë sëmundje të tjera neurologjike. Së fundmi Departamenti Amerikan i Transportit tha se po hetonte kompaninë Neuralink mbi lëvizjen potencialisht të paligjshme të patogjenëve të rrezikshëm. Një zëdhënës i Departamentit të Transportit i tha Reuters për hetimin pasi Komiteti i Mjekëve të Mjekësisë Përgjegjëse, një grup mbrojtës i mirëqenies së kafshëve, i shkroi Sekretarit të Transportit Pete Buttigieg për ta njoftuar atë për të dhënat që kishte marrë për këtë çështje.