Netflix ka konfirmuar zyrtarisht se do të xhirohet filmi “Peaky Blinders”, në të cilin Cillian Murphy kthehet në rolin e Tommy Shelby. Netflix i ka dhënë dritën jeshile një filmi artistik ku do të luajë fituesi i ‘Oscar’, në një rikthim në rolin ikonik të liderit të klanit nga Birmingham. Tom Harper është regjisor i filmit ende të pa titulluar dhe ai nuk është i panjohur për serialin duke pasur parasysh se ka punuar në gjysmën e sezonit të parë. Xhirimet do të fillojnë më vonë këtë vit nga një skenar i krijuesit të “Peaky Blinders”, Steven Knight.
Producentët ekzekutivë janë Harper, David Kosse, Jamie Glazebrook, Andrew Warren dhe David Mason. Filmi do të xhirohet në bashkëpunim me BBC Film. Detajet e këtij filmi dhe kasti po mbahen të fshehta, megjithëse Knight më parë tha për Deadline se historia e filmit do të zhvillohet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Seriali filloi të transmetohej në vitin 2013 në BBC 2 dhe pas katër sezonesh u transferua në BBC 1.
Cillian Murphy will officially return as Tommy Shelby in Steven Knight’s ‘PEAKY BLINDERS’ film for Netflix. pic.twitter.com/zgNEypuz8E
— Film Updates (@FilmUpdates) June 4, 2024
Rikujtojmë gjithashtu se Murphy, do të ribashkohet me regjisorin Danny Boyle për filmin e shumëpritur “28 Years Later”. Filmi tashmë ka filluar xhirimet në verilindjen piktoreske të Anglisë, me Northumberland që shërben si një nga lokacionet kryesore. Produksioni ka tërhequr vëmendjen për kastin e tij mbresëlënës, duke përfshirë Jodie Comer, Aaron Taylor-Johnson dhe Ralph Fiennes.
Alex Garland, i cili shkroi filmin origjinal, rikthehet për të shkruar skenarin. Siç u raportua fillimisht nga Deadline, ekipi i filmit përfshin shumë fytyra të njohura nga ekuipazhi origjinal i “28 Days Later”. Boyle dhe Garland janë kthyer në krye, duke prodhuar së bashku me Peter Rice dhe Andrew Macdonald të DNA Films si dhe Bernie Bellew. Vlen të përmendim se shtëpia italiane e modës Versace ka zgjedhur yllin e kinematografisë Cillian Murphy si imazhin e ri. “Jam e kënaqur që Cillian tani është pjesë e familjes Versace”,-tha drejtoresha artistike Donatella Versace në një deklaratë.