Në mediat botërore po qarkullojnë informacione se Izraeli ka dhënë dritën jeshile për një armëpushim me milicinë shiite libaneze Hezbollah, siç raportoi sot stacioni televiziv N12.
Qëllimi është të negociohet një marrëveshje më e qëndrueshme.
N12 citoi një punonjës të paidentifikuar, i afërt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Fillimisht nuk pati asnjë konfirmim zyrtar për njoftimin. Një zëdhënëse nga zyra e Netanyahut tha se ende nuk ka një deklaratë të tillë.
Bombardimet masive izraelite të Libanit deri më tani kanë rezultuar në më shumë se 600 vdekje që nga fillimi i përshkallëzimit të hënën.
Një grup vendesh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato të Bashkimit Europian, së bashku me shtetet kryesore arabe po bëjnë presion për ndalimin e luftimeve. Armëpushimi i kërkuar do të zgjasë për 21 ditë e synon të krijojë hapësirë për një zgjidhje diplomatike të konfliktit midis Izraelit e Hezbollahut në Liban, si dhe luftës gati 1-vjeçare të Gazës.
Deklarata e përbashkët u mbështet nga Amerika, Gjermania, BE, Australia, Kanadaja, Franca, Italia, Japonia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.
Amerika shpreson se armëpushimi i përkohshëm mund të çojë drejt stabilitetit afatgjatë përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Libanit. Qindra mijëra njerëz janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftimeve mes Izraelit e Hezbollahut. Ato u përshkallëzuan javën e kaluar duke nxitur frikën për një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme.
Rreth 90 mijë njerëz në Liban janë zhvendosur vetëm këtë javë, sipas OKB-së. Rreth 40 mijë të tjerë jetojnë në vendstrehime në territorin e vendit. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se synojnë ta përdorin armëpushimin trejavor për të rifilluar bisedimet e bllokuara për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit e për lirimin e pengjeve.
Hamasi është një tjetër grup i mbështetur nga Irani, por i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Hezbollahu filloi të hedhë raketa drejt Izraelit në mënyrë të përditshme pas sulmit të 7 tetorit në Izrael nga Hamasi.