Bota

Netanyahu nuk pranon marrëveshje që i jep fund luftës në Gazë!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se është i gatshëm të pranojë vetëm marrëveshje për armëpushim të “pjesshëm”, që nuk do t’i jepte fund luftës me Hamasin në Rripin e Gazës. Në një intervistë, Netanyahu vuri në dukje se kjo nuk është diçka e fshehtë pasi do t’iu kthente disa prej pengjeve.

Ne jemi të përkushtuar për të vazhduar luftën pas një pauze, në mënyrë që të përmbushim synimin tonë për eliminimin e Hamasit. Nuk jam i gatshëm të heq dorë nga kjo.

Komentet e fundit të Netanyahut nuk dallojnë shumë nga ajo çfarë ka thënë në të kaluarën lidhur me kushtet që kërkonte për një marrëveshje. Por, i bëri në një kohë të ndjeshme sepse Izraeli dhe Hamasi duket se po largohen çdo herë e më shumë nga propozimi më i fundit për armëpushim.

Komentet e Netanyahut, gjithashtu dallojnë shumë me kushtet e marrëveshjes së detajuar në fund të muajit të kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili e cilësoi planin si “izraelit” dhe disa në Izrael, iu referuan si “marrëveshja e Netanyahut”.

Deklaratat e tij mund t’i tensionojnë më shumë marrëdhëniet mes Izraelit e SHBA-ve, vendit të njohur si aleati kryesor i shtetit hebraik.

Plani me tri faza kërkon lirimin e të gjithë pengjeve të mbetur, në shkëmbim të lirimit të qindra palestinezëve të burgosur në Izrael. Por, ka mosmarrëveshje dhe mosbesim mes Izraelit dhe Hamasit për mënyrën si do të zbatohej marrëveshja.

Hamasi ngul këmbë se nuk do t’i lirojë pengjet e mbetur, nëse nuk ka armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza. Kur Bideni e njoftoi propozimin në fund të majit, tha se marrëveshja i përfshin të dyja këto.

Por, Netanyahu thekson se Izraeli është i përkushtuar për ta “shfarosur” Hamasin dhe për t’u siguruar se ky grup nuk do të kryejë më sulm si i 7 tetorit. Dokumenti përfshin tri faza për t’i dhënë fund luftës me një plan shumëvjeçar për rindërtimin e Gazës, e cila është rrënuar pothuajse plotësisht si pasojë e luftimeve.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.

Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë ka vrarë më shumë se 37.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.