Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se Irani “kreu një gabim serioz” duke sulmuar vendin e tij dhe se do të paguante “çmimin”.
Irani bëri një gabim të rëndë këtë mbrëmje dhe do të paguajë çmimin.
Netanyahu foli në një video-mesazh pasi Republika Islamike hodhi 180 raketa në Izrael dje në mbrëmje, shumica e të cilave u kapën nga mburoja raketore izraelite.
Garda Revolucionare pretendoi se ky sulm ishte një “përgjigje” ndaj vrasjeve të Ismail Haniyeh-ut e Hassan Nasrallahut, liderëve të Hamasit dhe Hezbollahut libanez.
Regjimi iranian nuk e kupton vendosmërinë tonë për të mbrojtur veten dhe për t’i mbajtur armiqtë tanë përgjegjës, tha Netanyahu. Duket se ka njerëz në Teheran që nuk e kuptojnë. Ata do ta kuptojnë, kërcënoi kryeministri izraelit duke shtuar se do t’i përmbahen asaj që kanë vendosur: “kushdo që na sulmon, ne do ta sulmojmë”.
“Irani nuk e ka mësuar mësimin e tij”, shkroi ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant në X duke shtuar se “kushdo që sulmon shtetin e Izraelit paguan një çmim të rëndë”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron dënoi “me fjalët më të forta sulmet e reja të Iranit kundër Izraelit” dhe tha se Parisi “mobilizoi” burimet e tij ushtarake në Lindjen e Mesme për të kundërshtuar kërcënimin e Teheranit.
Macron bëri thirrje që “Hezbollahu të ndërpresë veprimet terroriste kundër Izraelit dhe popullsisë së tij”, duke kujtuar se Franca është “e përkushtuar ndaj sigurisë së shtetit hebre”.
Gjithashtu iu kërkoi autoriteteve izraelite që të “përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur operacionet e tyre ushtarake” dhe në përgjithësi u bëri thirrje “të gjithë aktorëve të përfshirë në krizën në Lindjen e Mesme të tregojnë përmbajtje maksimale”.
Franca do të organizojë një konferencë shumë shpejt në mbështetje të popullit libanez dhe institucioneve të tij.
Macron i ka kërkuar kreut të diplomacisë franceze Jean-Noel Barrot që të “vizitojë sërish Lindjen e Mesme”.
Pas një udhëtimi në Bejrut ditët e fundit, Barrot do të konsultohet me të gjithë ata që kanë një rol për të luajtur në fillimin e uljes së tensionit dhe gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme për krizën aktuale në të gjitha aspektet e saj, veçanërisht në lidhje me situatën në Liban dhe në Gaza.