Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu thotë se Izraeli i ka shkaktuar Hezbollahut “goditje që nuk mund t’i ketë imagjinuar”, pas disa ditësh sulme të intensifikuara ndaj Libanit. Në një deklaratë të zyrës së tij, Netanyahu shprehet se nëse grupi militant “nuk e ka marrë mesazhin deri tani, ju premtoj se do ta marrë”.
Ai rithekson se Izraeli është i vendosur të kthejë qytetarët e zhvendosur në veri, duke shtuar:
Asnjë vend nuk mund ta tolerojë zjarrin ndaj banorëve e ndaj qyteteve të tij. As shteti izraelit nuk do ta tolerojë. Ne do të bëjmë gjithçka të nevojshme për të rikthyer sigurinë.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se masat kundër Hezbollahut do të vazhdojnë deri sa banorët e veriut të Izraelit të mund të kthehen në shtëpitë e tyre, duke shtuar se Izraeli “do të bëjë gjithçka të nevojshme për ta arritur këtë”.
Gallant ishte në një vizitë në qendrën e komandës dhe kontrollit të Forcave Ajrore kur deklaroi se grupi militant libanez “ka filluar të ndjejë disa nga kapacitetet” e ushtrisë izraelite dhe se “ata ndjejnë se po ndiqen e ne po shohim rezultatet”.
Po ashtu, operacionin e Forcave Ajrore izraelite e quajti “shumë mbresëlënës, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”.
Grupi Hezbollah në Liban, i shpallur “terrorist” nga Amerika, sot lëshoi mbi 100 raketa drejt një zone më të gjerë e më thellë brenda Izraelit verior. Hedhja e tyre aktivizoi sirena alarmi në të gjithë veriun e Izraelit, duke detyruar mijëra njerëz të hynin në vendstrehime.
Ushtria izraelite tha se raketat ishin lëshuar “drejt zonave civile”, duke sinjalizuar një përshkallëzim të mundshëm, pasi më parë, raketat përqendroheshin kryesisht në objektiva ushtarake. Goditja erdhi pas një sulmi ajror izraelit në kryeqytetin libanez Bejrut më 20 shtator e që vrau të paktën 37 persona, përfshirë një nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut, si dhe gra e fëmijë.
Hezbollahu ende po përballet me pasojat e një sulmi të sofistikuar që shkaktoi shpërthimin e mijëra pajisjeve të komunikimit, vetëm disa ditë më parë. Ushtria izraelite tha se ka kryer një valë sulmesh në jug të Libanit gjatë 24 orëve të fundit, duke goditur rreth 400 objektiva militantësh, përfshirë raketa-hedhës. Zëdhënësi ushtarak izraelit, nënkolonel Nadav Shoshani vuri në dukje se këto sulme parandaluan një tjetër edhe më të madh.