Nesër përfundon afati që iu dha Kosovës dhe Serbisë për të dërguar në Bruksel komentet e tyre mbi një plan sekuencimi për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiç u morën vesh vitin e kaluar.
Serbia kërkon Asociacionin ndërsa Kosova njohjen de facto. Marrëveshja ka mbetur pa u zbatuar, ndërsa BE-ja po kërkon të gjejë një mënyrë që kjo të ndodhë.
Qeveria e Kosovës pritet të ketë dërguar sot(17 korrik) në Bruksel komentet e saj mbi planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në takimin e fundit ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviç më 2 korrik, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, kërkoi nga palët që t’i dërgojnë komentet e tyre deri më 18 korrik.
Klisman Kadiu, këshilltar i Bislimit, tha të martën se Qeveria do t’i dërgojë komentet brenda afatit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i dorëzojë komentet e saj me shkrim mbi dokumentin e planit të sekuencimit, brenda kohës së parashikuar, pra 18 korrikut, sipas kërkesës së emisarit Lajçak”, tha ai për Kohën.
Kadiu tha se vitin e kaluar dhe këtë vit, Kosova “ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve”.
Në bazë të komenteve që do të dërgohen prej të dyja palëve, ndërmjetësit evropianë do ta nxjerrin një propozim të ri për zbatimin e marrëveshjes, siç tha Bislimi më 2 korrik.