Aktualitet Politikë

Nesër Jurgis Çyrbja dëshmon për herë të parë në SPAK, ish-deputeti i PS akuzohet për lidhje me krimin dhe blerje votash!

Prokurorët e Posaçëm do të marrin nesër dëshminë e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, i cili dyshohet për korrupsion në zgjedhje, tregtim të sekretit shtetëror e përkrahje të autorit të krimit.

Ish-deputeti socialist pritet të japë shpjegime të premten në orën 11.00 në praninë e avokatit mbrojtës dhe më pas prokurorët e posaçëm do të thërrasin dhe marrin në pyetje të gjithë personat të cilët kanë dalë nga komunikimet e Jurgis Çyrbjas dhe personave të tjerë të identifikuar deri më tani.

Sipas SPAK, Çyrbja akuzohet për tre vepra penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.

Mësohet se ndaj tij Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masen e sigurimit “arrest në burg”.

Ish-deputeti i PS, u vu në pranga pak ditë pasi dorëzoi mandatin dhe u mor i pandehur nga SPAK. Pas dorëzimit të mandatit të deputetit, Jurgis Çyrbja ka deklaruar se ky vendim nuk erdhi nga shqetësime të natyrës ligjore, por sepse kishte nevojë të kujdeset për shëndetin.

ZBËRTHIMI I APLIKACIONIT SKY ECC

Nga zbërthimi i bisedave në SKY ECC, u zbulua se në favor të votave për tu zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin. Ndërkohë që Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekici, i cili u ekzekutua në 2021 dhe Altin Hajri, i shumëkërkuar për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet.