Liga e Kombeve, nesër ndeshja Gjeorgji-Shqipëri. Një ditë më parë, kombëtarja kuqezi e futbollit udhëtoi drejt kryeqytetit gjeorgjian Tbilis për takimin e 14 tetorit në stadiumin “Mikheil Meskhi”, në orën 18:00. Departamenti i Komunikimit në FSHF bëri të ditur se me skuadrën nuk kanë udhëtuar të gjithë lojtarët e ftuar për këtë ndeshje.
Mesfushori Adrion Pajaziti la grumbullimin në Pragë për shkak se u skualifikua nga kartonat me ekipin kombëtar U-21. Sipas rregullores së UEFA-s, mesfushori nuk mund të luajë me asnjë nga ekipet kuqezi në datat e përcaktuara.
Pas mbërritjes në hotel, skuadra zhvilloi një seancë të lehtë në palestër dhe sot mbyll përgatitjet për sfidën. Kuqezinjtë mbajnë seancën stërvitore zyrtare në orën 18:00, në “Mikheil Meskhi”. 45 minuta para saj, trajneri Sylvinho dhe një nga lojtarët do të jenë në konferencën zyrtare për shtyp, më 17:15.
Gjeorgji-Shqipëri në Ligën e Kombeve pason atë Çeki-Shqipëri në Pragë ku ekipi çek na mundi me rezultatin 2-0, një humbje që rëndon e ngre pikëpyetje për rrugëtimin e Ligës së Kombeve, kompeticion i nisur me pretendime të mëdha. Kjo humbje e vendos Shqipërinë në vendin e tretë me 3 pikë, aq sa Ukraina.
Trajneri Sylvinho:
Mendoj se Çekia ka luajtur mirë, është ekip i fortë. Sulmi i tyre bëri ndeshje të mirë, luajti në ajër si ekip, ishin të motivuar për ta fituar këtë ndeshje. Ishin shumë më të motivuar për të fituar. Eshtë pikë refleksioni dhe krenarie sepse na shikojnë si ekip i fortë. Po festonin sikur kishin mundur Brazilin.
Po ashtu, përballja me Çekinë nuk kaloi pa provokime e skandale që kulmuan me përdhosjen e flamurit shqiptar e për gjithçka ndodhi në “Epet Arena”, nuk e lanë indiferente Federatën Shqiptare të Futbollit FSHF-në.
FSHF-ja reagoi menjëherë që në pushimin e pjesës së parë duke u kërkuar organizatorëve marrjen e masave të menjëhershme ndaj këtyre akteve për të mos radikalizuar veprimet me ndërprerjen e lojës. Futbolli është një lojë që bashkon dhe unifikon gjithë popujt duke promovuar barazinë e respektin për të gjithë, pavarësisht kombësisë apo përkatësisë etnike.
Shqiptarët, si pjesë e familjes së madhe futbollistike, do të qëndrojnë gjithmonë në mbrojtje të këtyre vlerave dhe nuk do të tolerojnë asnjë formë racizmi apo urrejtjeje duke dënuar me forcë çdokënd që tenton të përdhosë bukurinë e këtij sporti.