Aktualitet Rajoni

Nesër ditë zie në Kosovë në nderim të Ismail Kadaresë!

Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, e nesërmja shpallet ditë zie në Kosovë me vendim të Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës. Në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, flamuri do të jetë në gjysmë shtizë.

Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë (3 korrik), ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Në qershor të vitit të kaluar, Osmani e dekoroi Kadarenë me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër urdhrat më të lartë, që jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquar të kombit. Dy muaj më vonë në gusht 2024, presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore iu dha nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

Pritet që Osmani dhe kryeministri Albin Kurti të jenë nesër në Tiranë për homazhet. Sot dhe nesër, Shqipëria është në zi kombëtare, në nder të shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare, i ndarë dje nga jeta në moshën 88-vjeçare. Me vendim qeverie, në institucionet shtetërore dhe publike, flamujt janë ulur në gjysmështizë.

Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, nesër nga ora 09:00 deri më 11:00, si dhe në orarin 11:30-12:30. Për organizimin e homazheve e të ceremonisë shtetërore u ngrit një Komision i Posaçëm Shtetëror, nën mbikëqyrjen e Kryeministrit.

Ismail Kadare, prijësi historik i letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtari i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.

Ismail Kadare u lind në Gjirokastër, më 28 janar 1936. Qyteti i lindjes e ndoqi përjetësisht kudo ku jetoi e shkroi, në Perëndim e në Lindje, duke u bërë pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij në të gjitha fazat e jetës. Me një opus letrar që përmban mbi 70 vepra, në të gjitha llojet e nënllojet e letërsisë, eseistikës dhe publicistikës, të panumërta në botime e ribotime, Ismail Kadare ka zënë e do të ketë kreun e vendit në historinë e letërsisë shqipe.

Akademia e Shkencave shprehu ngushëllime duke theksuar se “ikja e tij është e pangushëllueshme për Akademinë e Shkencave, për Letërsinë Shqipe dhe ekuilibrat e saj, për Gjuhën Shqipe e folësit e saj, për letërsinë europiane e botërore.

Letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha. Ismail Kadare është shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe që prej fillimeve dhe përgjatë pesë shekujve të jetës së saj. Vepra e tij përbën një shtyllë të letërsisë shqipe.