Bota

“Nëse unë vdes…”/Elon Musk shqetëson ndjekësit me postimin e fundit në Twitter!

CEO i Tesla-s dhe SpaceX, Elon Musk ka postuar në profilin e tij në Twitter disa postime mjaft shqetësuese. Edhe pse miliarderi njihet për sensin e tij të humorit, sidomos për sa i përket postimeve të tij në Twitter, këtë radhë ndjekësit e tij janë shqetësuar teksa Musk ka shkruar:

Nëse unë vdes në rrethana misterioze, ishte kënaqësi që u njohëm.

Ky postim vjen një javë pas lajmit se Musk bleu rrjetin social Twitter për një shumë prej 44 miliardë dollarësh. Ajo që e bën këtë mesazh edhe më të çuditshëm janë disa postime të bëra më përpara nga Musk të cilat e bëjnë të duket sikur ai mund të jetë kërcënuar nga Rusia.

Pak para se të postonte për vdekjen e tij, Musk ndau me ndjekësit disa postime në rusisht, ku pretendohej se ai furnizoi Ukrainën me disa pajisje komunikimi ushtarake përmes kompanisë së tij, Starlink, në mes të luftës së vazhdueshme me Rusinë.

Mësohet se së fundmi Elon Musk u kishte thënë investitorëve se do t’i dyfishonte ose trefishonte paratë e tyre nëse ata mbështesnin blerjen e tij prej 44 miliardë dollarësh të Twitter. Sipas mediave të huaja, në takimet me investitorët, Musk shkoi aq larg sa iu premtoi atyre pesë deri në dhjetëfishin e investimeve të tyre nëse gjithçka shkonte mirë.