Qyteti gjerman i Wuppertal është shtëpia e një prej linjave më të pazakonta të metrosë në botë. Hekurudha që gjarpëron nëpër qytet, kalon sipër rrugëve e lumenjve, duke i dhënë mundësi pasagjerëve të shijojnë panoramën e vendit. Gjithçka filloi në vitet 1880, në epokën e të ashtuquajturës, epoka e industrializimit të Gjermanisë. Sipërmarrësi dhe inxhinieri, Eugen Langen, kishte eksperimentuar me një hekurudhë që qëndronte “pezull”, për të mundësuar lëvizjen e mallrave në fabrikën e tij të sheqerit në Këln.
Qyteti Wuppertal vendosi të vinte në zbatim këtë lloj hekurudhe, ku treni qëndron “kokëposhtë”, për shkak të relievit të komplikuar të vendit. Lugina e gjatë dhe dredha-dredha e lumit që përshkon mes për mes qytetin, e bëri të pamundur ndërtimin e hekurudhave ose tramvajeve tradicionale, ndaj inxhinierët nisën të mendonin për alternativa të tjera. Në vitin 1893, u propozua pikërisht ky sistem unik hekurudhor, që nisi të ndërtohej në 1898, derisa u inaugurua në vitin 1901 nga perandori Wilhelm II, i cili së bashku me gruan e tij Auguste Viktoria bëri dhe udhëtimin e parë.
Pothuajse 20 000 tonë çelik u përdorën për të krijuar linjën hekurudhore me 20 stacione. Fillimisht, kabinat ishin prej druri dhe qelqi dhe transportonin jo më shumë se 65 persona. Gjatë viteve të ardhshme, gjatësia e trenave u rrit nga dy në gjashtë vagonë, duke lëvizur çdo pesë minuta. Në Luftën e Dytë Botërore, rrjeti u godit nga bombat e sulmeve të rënda ajrore deri në janar të vitit 1945, por një vit më vonë, e gjithë linja u kthye në funksion të plotë.
Në vitin 1950, pasagjeri më i famshëm i kësaj linje u bë elefanti Tuffi. Cirku Althoff kishte organizuar një udhëtim promovues për metronë dhe zgjodhi pikërisht një prej personazheve më të njohur në Gjermaninë Perëndimore, asokohe. Elefanti Tuffi zakonisht nuk trembej nga njerëzit, megjithatë gjërat atë ditë nuk shkuan sipas planit.
Kabina ishte e mbushur me gazetarë dhe zyrtarë, ndaj Tuffi i gjendur në panik, u hodh nga një dritare drejt e në lumë, 10 metra më poshtë. Lumi ishte i cekët në atë vend dhe toka me baltë, kështu që elefanti pësoi vetëm disa gërvishtje. Sot aty, gjendet një statujë e Tuffit, realizuar në vitin 2020 nga artisti Bernd Bergkemper.
Sot, linja Schwebebahn që lëkundet mbi rrugët e qytetit nuk transporton më elefantë, por përdoret si tren udhëtarësh, duke lëvizur gati 25 milionë pasagjerë në vit. Fatkeqësisht, pothuajse të gjitha vagonët e gjeneratës së parë janë zhdukur, duke u zëvendësuar nga trenat blu të “Gjeneratës 15” që hynë në shërbim në vitin 2016. Christian Busch, arkitekt në Këln thotë se:
Habitem se si është ndërtuar mbi 100 vjet më parë linja Schwebebahn. Realizimi i një projekti të tillë pa sisteme kompjuterike do të ishte e paimagjinueshme sot. Një udhëtim në të i lejon pasagjerëve të kuptojnë më mirë jetën e banorëve dhe të përjetojnë të kaluarën e këtij vendi.
Deri në vitin 1999, ajo konsiderohej metoda më e sigurt e transportit publik në Gjermani, derisa në prill të atij viti, Schwebebahn përjetoi orën e tij më të errët, pesë njerëz ndërruan jetë dhe 47 u plagosën, kur një nga trenat e linjës u përplas me një grep hekuri 100 kilogramë. Megjithatë, duke pasur parasysh historinë e jashtëzakonshme të kësaj hekurudhe dhe pamjen ikonike që ofron, Schwebebahn ka frymëzuar shumë vepra arti dhe kulturën popullore gjermane në përgjithësi. Për të janë shkuar libra fantastiko-shkencor dhe janë xhiruar filma me metrazh të shkurtër.