Adoleshentët që fillojnë të pinë duhan ndoshta e bëjnë këtë sepse kanë më pak lëndë gri në pjesën e trurit që ndikon në vendimmarrje dhe ndjekje të rregullave. Përveç kësaj, të rinjtë që zhvillojnë një zakon të pirjes së duhanit priren të përjetojnë një reduktim të lëndës gri në pjesën e trurit që kontrollon menaxhimin e kënaqësisë deri në fund të viteve të tyre të adoleshencës. Këtë ka treguar një studim i ndikimit të pirjes së duhanit tek adoleshentët dhe të rinjtë në Britaninë e Madhe, Francë, Gjermani dhe Irlandë, i kryer nga universitetet e Kembrixhit, Fudanit dhe Warwick.
Pas krahasimit të rezultateve të imazheve të trurit të pjesëmarrësve që filluan të pinë duhan në moshën 14-vjeç me ata që nuk kishin pirë kurrë duhan dhe përsëritën procedurën për të njëjtët pjesëmarrës në moshën 19 dhe 23-vjeç, ata zbuluan se mesatarisht, adoleshentët që filluan të pinë duhan në moshën 14-vjeç kanë dukshëm më pak lëndë gri në pjesën e lobit frontal të majtë të lidhur me vendimmarrjen dhe thyerjen e rregullave.
Lënda gri, indi që përpunon informacionin dhe përmban të gjitha neuronet e trupit, përjeton rritjen e saj maksimale para adoleshencës, megjithëse zhvillimi i përgjithshëm i trurit vazhdon deri në moshën madhore. Ekipi i shkencëtarëve zbuloi gjithashtu se njerëzit që filluan të pinë duhan në moshën 14-vjeç kishin një humbje të lëndës gri në korteksin e djathtë paraballor, e cila është gjithashtu një pjesë e trurit e lidhur me pirjen e rëndë të alkoolit dhe përdorimin e marihuanës.
Organizata botërore e shëndetësisë ka vendosur si objektiv, që në vitin 2040 të shpallë Europën pa duhan. Po ndërsa ekspertët e shëndetësisë botërore mendojnë që në këtë vit niveli i duhanpirjes të jetë jo më shumë se 5% në Shqipëri kjo shifër vjen në rritje. Një raport i fundit i Bankës Botërore ka nxjerrë në pah se 38,8% e shqiptarëve janë konsumatorë të duhanit.