Aktori i mirënjohur dhe shumë i dashur i publikut Neritan Liçaj ishte sot i ftuar në Live From Tirana me të cilin diskutuam mbi tema të ndryshme sociale.
Që nga hapja e kinemave, mënyrën se si shkruajnë portalet apo mbajtja e maskave në rrugë, Neri sot, ashtu si çdo herë tjetër, i tha troç opinionet e tij.
Liçaj u shpreh entuziast mbi hapjen e kinemave në vendin tonë dhe pret që së shpejti t’i jepet drita jeshile edhe teatrit, vendi ku ai ka zemrën. Aktori theksoi se institucionet në Shqipëri i tremben masave të Kryeministrit Rama, për të cilat mendon që nuk janë zyrtare pasi komunikohen vetëm në faqen e tij në Facebook.
“Është problemi i institucioneve që i stepen frikës nga Kryeministri pasi ne nuk kemi një pengesë ligjore për të mos i hapur. Kryeministri në këtë rast s’ka çfarë të thotë.” -rrëfeu aktori!
Sakaq, Neritani nuk është pro mbajtjes së maskave në rrugë (detyim ligjor që ka hyrë në fuqi ditën e sotme), pasi për të, nuk ka asgjë zyrtare që e detyron atë të zbatojë këtë rregull anti-Covid-i.
“Për këtë punën e maskave sot, ta dini se nuk të vë dot gjobë ai polici sepse ky është një akt normativ dhe akti normativ nuk ka fuqi ligjore, nuk është vendosur në fletoren zyrtare por në Facebook-un e Kryeministrit. Unë nuk kam vënë maskë sot dhe po më kapi e di shumë se çfarë do i them. ‘Futja vrapit dhe mos m’u afro fare'” -tha Neri gjatë intërvistës për mikrofonin e Top Albania Radio.