Bota

Nepal, rrëzohet avioni me 72 persona/Ka të mbijetuar!

Aksident ajror në Nepal, rrëzohet një avion me 72 persona në bord, 68 pasagjerë e 4 anëtarë të ekuipazhit. Më herët një televizion indian raportoi se të gjithë humbën jetën, por autoritetet thonë se ka disa të mbijetuar, ndonëse nuk saktësuan asnjë bilanc.

Avioni i llojit ATR-72 që në fluturim u ngrit nga kryeqyteti nepalez Katmandu, u rrëzua gjatë uljes në aeroportin Pokhara në distriktin Kaski.

Teksa vijonin operacionet e kërkim-shpëtimit në terren flitej për 40 të vdekur, edhe pse u bë e ditur se bilanci ende është provizor dhe përditësohet vazhdimisht. Shkaqet e aksidentit ajror tragjik nuk dihen.

Avioni i kompanisë Yeti Airlines u rrëzua në një zonë të banuar midis pjesës ku ndodhej aeroporti i vjetër i Pokharës dhe atij të ri ndërkombëtar të qytetit, i përuruar pak kohë më parë.

Imazhet nga vendi i aksidentit të publikuara nga faqja Nepal Live Today tregojnë disa shtëpi në sfond. Pas përplasjes në tokë, pranë lumit Seri, avioni mori flakë dhe të tjera foto e video të publikuara nga mediat aziatike tregojnë re të dendura tymi që dilnin nga pjesët e avionit që digjej.