Bota

Nëndetësja Titan/Regjisori i “Titanikut”, James Cameron: “OceanGate” ishte paralajmëruar!

James Cameron, regjisori hollivudian i filmit të famshëm “Titanik” i vitit 1997 me protagonist Leonardo Di Caprio-n, tha se e ka përjetuar me zemër humbjen e nëndetëses Titan. Ai vetë është zhytur 33 herë deri në rrënojat e Titanikut, anijes së mbytur më 15 prill 1912, me mbi 1 mijë e 500 viktima.

Nëndetësja Titan, e zhdukur më 18 qershor besohet të ketë shpërthyer dhe për pasojë, kompania OceanGate që e kishte në pronësi tha se të pestë pasagjerët në bord kanë vdekur.

Në një intervistë për rrjetin britanik BBC, Cameron deklaroi se disa persona nga komuniteti i zhytësve i kishin shkruar një letër OceanGate-it duke thënë se besonin se kompania “po shkonte drejt katastrofës”.

Cameron sugjeroi edhe se kishte një “ironi të tmerrshme” në humbjen e Titanit e ekuipazhit të tij, duke e krahasuar me humbjen e vetë Titanikut në vitin 1912.

Tani kemi një tjetër rrënim që bazohet për fat të keq në të njëjtat parime të injorimit të paralajmërimeve. OceanGate ishte paralajmëruar. Nga kompania, shumë ishin larguar nga puna.

Cameron nuk është i pari që ka ngritur shqetësime lidhur me aktivitetet e kompanisë turistike OceanGate. Një letër dërguar OceanGate-it nga Shoqata e Teknologjisë Detare (MTS) në mars të vitit 2018 dhe e marrë nga New York Times theksonte se “qëndrimi eksperimental i miratuar nga OceanGate mund të çojë në rezultate negative, nga të vogla, në katastrofike”.

Edhe dokumentet e një gjykate amerikane tregojnë se një ish-punonjës i OceanGate-it paralajmëroi për probleme të mundshme të sigurisë që në vitin 2018. David Lochridge, drejtori i operacioneve detare të kompanisë ngriti shqetësime në një raport inspektimi. Një zëdhënës i OceanGate-it nuk pranoi të komentojë mbi çështjet e sigurisë të ngritura nga Lochridge e MTS-ja.

Cameron tha se ishte në një anije ditën kur nëndetësja u zhduk dhe lajmin për zhdukjen e mësoi të hënën. Kur u informua se nëndetësja kishte humbur, menjëherë dyshoi për një fatkeqësi.

Në trupin tim, ndjeva atë që kishte ndodhur. Të dështojnë elektronika, sistemi i komunikimit dhe gjurmuesi,  nëndetësja është e humbur. Nuk ka humbje pa një ngjarje katastrofike ekstreme. Menjëherë më shkoi mendja se mund të kishte ndodhur një shpërthim.