Bota

Nëndetësja Titan nuk është më, por duhet përgjigje për disa pyetje!

Nëndetësja Titan me në bord një britanik, një francez e dy pakistanezë krahas drejtorit ekzekutiv të “OceanGate”-it, Stockton Rush nuk është më, por pyetjet mbeten e kërkojnë përgjigje. Çfarë e shkaktoi shpërthimin? Po tingujt e dëgjuar nën ujë dy ditë më parë? Përse pati një vonesë 8-orëshe para dhënies së alarmit? Pse u përdor kjo nëndetëse dhe pse ishin ngritur shqetësimet e sigurisë? Pse nuk kishte një sinjal pamor sigurie emergjente? Shumë debate dhe për pajisjen drejtuese që kushton vetëm 42 dollarë në Amazon.

Familjarët e pesë pasagjerëve të nëndetëses së zhdukur Titan në Atlantik e që tani raportohen “të vdekur”, shprehën “trishtimin e thellë” për humbjen e jetëve nga ai që besohet të ketë qenë shpërthim i mjetit lundrues. Kundrejt pagesës 250 mijë dollarë për person, nëndetësja në pronësi të kompanisë “OceanGate” zhytej në thellësi për të vizituar rrënojat e Titanikut të fundosur në vitin 1912. Në krye të kërkimeve intensive ishte Roja Bregdetare Amerikane.

Eshtë klaustrofobike dhe e frikshme të bllokohesh në një nëndetëse në fund të oqeanit. Të dielën e 18 qershorit, nëndetësja e famshme e kompanisë OceanGate humbi në Oqeanin Atlantik, gjatë një udhëtimi për në rrënojat e Titanikut.

Në bord gjendej eksploruesi britanik, Hamish Harding, eksperti francez i historisë së Titanikut, Paul-Henri Nargeolet,  biznesmeni pakistanezo-britanik, Shahzada Dawood e djali i tij, Suleman, si dhe Rush.  Nëse gjërat shkonin sipas parashikimeve, brenda 10-11 orëve duhej të riktheheshin në sipërfaqe.

Harding ishte një miliarder dhe aventurier me tre rekorde Guinness, ndërsa Dawood-ët i përkasin një prej familjeve më të pasura të Pakistanit. Nargeolet njihej me nofkën “Zotëria Titanik” për zhytjet e thella në rrënojat e Titanikut.

Familja e Hardingut reagoi:

Hamish ishte eksplorues me plot pasion, si dhe burrë i dashur e baba i përkushtuar ndaj dy djemve të tij. Pati arritje mbresëlënëse dhe nëse mund të gjejmë sadopak ngushëllim, themi se e humbëm teksa bënte atë që donte.

Edhe familjarët e Shahzada e Suleman Dawood-it shprehën “trishtimin e thellë”.

U jemi mirënjohës të gjithëve që u përfshinë në operacionet e shpëtimit. Përpjekjet e tyre të palodhshme ishin burim force për ne.

Mes atyre që shprehën ngushëllime janë dhe Shtëpia e Bardhë e qeveritë e Britanisë së Madhe e Pakistanit, krahas kompanisë OceanGate.