Aktualitet

Nëna u hodh në Bunë me tre fëmijët e mitur, gjendet edhe trupi i pajetë i djalit 3-vjeçar!

Është gjetur trupi i pajetë i djalit 3-vjeçar që u mbyt në lumin Bunë së bashku me të ëmën, Alma Arrazi dhe dy motrat e tij, të moshës 9 dhe 8-vjeçe.

Pas kërkimeve trupi i pajetë i të miturit është gjetur në ujërat e lumit Buna nga forcat speciale në afërsi të fshatit Oblikë të njësisë Ana e Malit.

Ndërkohë palombarët janë ende në kërkim të trupit të nënës, për të cilën ende nuk ka asnjë gjurmë.

Alma Arrazi u hodh në lumin Bunë mbrëmjen e 3 Majit së bashku me tre fëmijët e mitur.

Trupi i vajzës 9-vjeçare u gjet nga një peshkatar mbrëmjen e 4 Majit, ndërsa 8-vjeçarja u gjet pasditen e djeshme (6 Maj).

Mëngjesi ka qenë i trishtë këtë të martë në shkollën 9 vjeçare “Ndre Mjeda” në Shkodër. Me lule në duar e dhimbje në shpirt, nxënësit i janë drejtuar sot shkollës për të kujtuar dy bashkëmoshataret e tyre që humbën jetën tragjikisht pasi nëna Alma Arrazi u vetëmbyt në lumin Bunë bashkë me 3 fëmijët.

Një prej bankave të klasës së dytë është bosh. Aty duhej të ishin ulur dy vajzat, Ergesa 9 vjeçe dhe Gresa 8 vjeçe. Mësuesit i përshkruajnë si dy nxënëset shembullore që rrezatonin vetëm mirësi.

Prindërit nuk kanë fjalë të flasin për këtë tragjedi, pasi dhimbja është e madhe për të gjithë.

“Është një fatkeqësi, s’kam fjalë. Gjëra të tilla mos me ndodh kurrë. Shumë e dhimbshme, ngushëllime familjarëve.  Vajza është e vogël për t’i kuptuar këto gjëra, u desh t’i anashkaloja disa gjëra.”

“Vajza i ka pasur në klasë të dyja vajzat. Ishte shumë e vështirë, vajzës i thashë keni humbur dy shoqe sepse mami i la në Shirokë. Nuk mund t’ja shpjegoja ndryshe.

Jam pa fjalë”, shprehen prindërit.