“Pa Filtra” është rubrika më e re në këtë sezon të ri të “E Diell”, në Top Channel. Emisioni ka si qëllim njerëzit e thjeshtë por me ëndrra të mëdha e histori frymëzuese apo komike. Një nga pjesëmarrëset e puntatës së parë ishte Kajmelina Duka nga Elbasani, e cila tregoi historinë me djalin e saj, i cili i përket spektrit autik.
Kam një djalë special. Im bir i përket spektrit të autizmit dhe për atë jam sot këtu, të tregoj se sa bukur dhe magjike është të jetosh një jetë me tim bir. Gjithë kohës marrim flustrime, një fëmijë me autizëm vetëm problem, vetëm problem, vetëm problem. Jo, është e bukur. Një fëmijë me autizëm të mëson se çfarë është liria në infinitin e vet, ça është dashuria e sinqertë, ça është përqafimi dhe përkëdhelja që ai i jep nënës pa i parë duart, ça lodre i ka sjellë. Thjesht se jam unë, thjesht se më do mua”, shprehet Kajmelina, e cila më pas shton: “Djali im është bekim”
Kajmelina e solli këtë histori në ekran për të frymëzuar nënat që kanë fëmijë me aftësi të veçanta, dhe që ta shohin autizmin te fëmijët si mrekulli. Ajo tregoi se djali i saj për pak ditë bën 6 vjeç dhe e ka kuptuar se është me autizëm kur ai ka qenë rreth 8 muajsh.
Diagnozën e kam marrë pak më vonë, por ishte instinkti im që diçka nuk shkonte. E ndjen nëna. Ishte fundi, por i jam mirënjohëse gjithë familjes sime që më kapën për dore dhe më thanë ‘një fëmijë i tillë është bekim dhe gjithçka që vjen nga Zoti është i mirë se ardhur
Anëtarët e jurisë nuk i mbajtën dot lotët teksa nëna tregonte historinë e saj. Teksa Kajmelina po fliste për të, në studio hyri edhe djali, i cili përqafoi dhe u dhuroi nga një puthje anëtarëve të jurisë të “Pa Filtra”.