Bota

Negociatat për postet kryesore të BE-së, Von der Leyen, Costa dhe Kallas drejt konfirmimit!

Gjashtë liderët e Bashkimit Evropian që veprojnë si negociatorë të partive kryesore të qendrës, kanë nënshkruar një marrëveshje paraprake për të ndarë postet kryesore të bllokut pas zgjedhjeve të qershorit.

Sipas Politico, gjashtë liderët kanë rënë dakord që Ursula von der Leyen e Gjermanisë, António Costa i Portugalisë dhe Kaja Kallas e Estonisë, duhet të marrin pozitat më të larta në Komisionin Evropian, Këshillin Evropian dhe shërbimin e politikës së jashtme.

Negociatorët janë kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe kryeministri polak Donald Tusk (për Partinë Popullore Evropiane), kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe kancelari gjerman Olaf Scholz (për socialistët) dhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri holandez Mark Rutte. (për liberalët).

Politico raporton se hapi tjetër do të jetë takimi i liderëve të BE-së në Bruksel të enjten, ku të tre emrat do t’u paraqiten krerëve të shteteve dhe qeverive për miratim.

Një nga zyrtarët, duke folur në kushte anonimiteti mbi negociatat, tha se kryeministres italiane Giorgia Meloni nuk do t’i pëlqejë që ajo përsëri nuk ishte e përfshirë në negociata, pasi grupi i saj politik në Parlamentin Evropian është tani i treti më i madhi pas zgjedhjeve evropiane të qershorit.

Meloni nuk ishte pjesë e diskutimit të së martës si kusht i vendosur nga liberalët dhe grupet e qendrës së majtë, të cilët ishin zotuar të mos mbështesin von der Leyen nëse ajo arrinte marrëveshje me liderin italian.