Franca po zgjohet në një territor politik të “paeksploruar”, pasi zgjedhjet parlamentare të së dielës nuk lanë asnjë nga tre blloqet me vende të mjaftueshme për të qeverisur plotësisht, shkruan BBC. Një koalicion i ri i krahut të majtë, Fronti i Ri Popullor, fitoi shumicën e vendeve, i ndjekur nga aleanca e qendrës e presidentit Macron. Dy blloqet që kishin rënë dakord për një pakt votimi taktik e shtynë RN e ekstremit të djathtë në vendin e tretë.
Siç raportuam, disa kandidatë u larguan përpara raundit të dytë në një përpjekje për të penguar Aleancën Kombëtare të fitonte më shumë vende në zgjedhje: njëri prej tyre është Noé Gauchard, i grupit Fronti i Ri Popullor. Duke folur në “Newsday” të Shërbimit Botëror të BBC-së, Gauchard tha se kundërshtarja e tij, ish-kryeministrja Élisabeth Borne, “nuk do të kishte fituar kurrë nëse nuk do të kishte hequr dorë”.
Me të dëgjuar rezultatet, Gauchard, koalicioni i të cilit fitoi më shumë vende në raundin e dytë të zgjedhjeve theksoi se “ndjeu gëzim të pamasë”.
Të gjithë ata që kujdesen për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut kanë qenë në gjendje të marrin frymë sërish pas javësh ankthi ekstrem.
I pyetur për të ardhmen e së djathtës ekstreme në Francë, Gauchard u përgjigj:
Nuk mund të themi sot se e kemi ndalur… por prapë mund ta ndalojmë duke qeverisur të djathtën.
Raphaël Glucksmann, një eurodeputet i qendrës së majtë, i cili është një yll në rritje brenda Partisë Socialiste, ka thënë se zgjedhjet shënojnë një ndryshim pushteti.
Presidenti nuk përcakton më politikën dhe Kuvendi është tani në zemër të pushtetit.
Duke vënë në dukje se aleanca e krahut të majtë NFP, të cilës i është bashkuar Partia Socialiste nuk zotëron një shumicë absolute, ai thotë se ”kundërshtarët do të duhet të bashkohen dhe të bëjnë marrëveshje, siç bëjnë kudo në Europë”.
Ne do të duhet të flasim, të debatojmë dhe të ndryshojmë kulturën tonë politike, thotë Glucksmann, i cili bën thirrje për një “demokraci të paqësuar”.